Cristiano Ronaldo futet në botën e kinemasë, bëhet aktor dhe producent i një seriali për futbollin
Cristiano Ronaldo është gati të nisë një aventurë të re, këtë herë jashtë fushës së lojës. Në moshën 41-vjeçare, ylli portugez vazhdon të zgjerojë perandorinë e tij biznesore dhe do të bëjë debutimin në botën e serialeve televizive si aktor dhe producent ekzekutiv.
Ronaldo do të jetë pjesë e projektit “Day 1s”, një serial që do të sjellë prapaskenat e futbollit anglez, duke u fokusuar te biznesi që rrethon sportin më të ndjekur në botë: negociatat e merkatos, betejat për pushtet, interesat ekonomike dhe rolin e agjentëve në karrierat e futbollistëve.
Në këtë projekt do të përfshihet edhe një tjetër legjendë e futbollit botëror, Thierry Henry. Për Ronaldon kjo do të jetë eksperienca e parë në një serial televiziv, si përpara kamerave ashtu edhe pas tyre, pasi do të marrë edhe rolin e producentit ekzekutiv përmes kompanisë së tij UR Marv Studios, të themeluar në vitin 2025 së bashku me regjisorin britanik Matthew Vaughn, i njohur për sagën filmike “Kingsman”.
Sipas raportimeve, disa platforma të mëdha transmetimi kanë shfaqur interes për të siguruar të drejtat e serialit. Roli kryesor në “Day 1s” do t’i besohet aktorit britanik Damian Lewis, i njohur për interpretimet e tij në serialet “Homeland” dhe “Billions”. Ai do të luajë personazhin Stanley Dalton, një agjent i fuqishëm futbolli i përfshirë në lojërat e ndikimit dhe interesave që karakterizojnë botën e futbollit profesionist.
Ideja e serialit ka ardhur nga Darren Dein, ish-agjent i Thierry Henry, ndërsa xhirimet kanë nisur në stadiumin e Barnet FC, në veri-perëndim të Londrës.
Për Cristiano Ronaldon kjo nuk është paraqitja e parë në ekran. Në të kaluarën ai ka qenë protagonist në dokumentarin autobiografik “Ronaldo” të vitit 2015, si dhe është shfaqur në serialin e Netflix “Soy Georgina”, kushtuar partneres së tij Georgina Rodríguez.
KOHA JONË SONDAZH

