
Cristiano Ronaldo po zgjeron aktivitetin e tij përtej fushës së futbollit. Ylli portugez ka nisur një aventurë të re në botën e argëtimit, duke njoftuar zyrtarisht fillimin e xhirimeve të serialit të tij të parë televiziv, të titulluar “Day 1s”.
Projekti shënon një tjetër hap në strategjinë e Ronaldos për të zgjeruar investimet dhe aktivitetin e tij në fusha të ndryshme. Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti përmes rrjeteve sociale, ku ka ndarë entuziazmin për këtë eksperiencë të re.
“Një aventurë e re emocionuese! Ka nisur prodhimi i serialit tim të parë televiziv, Day 1s. Së shpejti do të ketë më shumë informacione”, shkroi portugezi.
Seriali do të ketë në qendër botën e agjentëve sportivë në Britaninë e Madhe, një ambient që Ronaldo e njeh mjaft mirë pas më shumë se dy dekadash në nivelet më të larta të futbollit. Xhirimet kanë nisur në Londër dhe realizohen nga UR•Marv Studios, kompani e lidhur me aktivitetin sipërmarrës të futbollistit.
Pjesë e kastit do të jetë edhe aktori britanik Damian Lewis, i cili do të interpretojë personazhin Stanley Dalton, një agjent sportiv që qëndron në qendër të historisë. Në serial do të shfaqen gjithashtu legjenda e futbollit Thierry Henry dhe reperi britanik Dave, i cili do të jetë i pranishëm që në episodin e parë.
