Cristiano Ronaldo paralajmëron fundin e karrierës: Mund të jetë sezoni im i fundit!
Cristiano Ronaldo ka dhënë sinjalin më të qartë deri tani për fundin e karrierës së tij si futbollist profesionist. Në një intervistë për revistën Vogue, portugezi ka zbuluar se sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit në futbollin e luajtur.
“Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të lë pas një trashëgimi spektakolare”, është shprehur Ronaldo, duke folur edhe për planet e tij për jetën pas futbollit.
Ylli portugez ka treguar se e ka menduar prej kohësh të ardhmen dhe se nuk dëshiron që largimi nga futbolli të krijojë një boshllëk në jetën e tij.
“E kam planifikuar plotësisht të ardhmen time. Kam kaq shumë gjëra për të bërë që të më mbajnë të zënë. Futbolli mund të lërë një boshllëk të madh, ndaj duhet ta mbushësh me disa gjëra”, ka deklaruar ai.
Ronaldo ka përmendur udhëtimet, padelin dhe shijimin e arritjeve të tij si disa prej aktiviteteve që dëshiron të vazhdojë pas tërheqjes nga futbolli. Për të, 25 vitet e karrierës kanë ardhur me sakrifica të mëdha, por edhe me një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Aktualisht, 41-vjeçari është nën kontratë me Al Nassr deri në korrik 2027. Nëse vendos të tërhiqet pas përfundimit të marrëveshjes, Ronaldo do të jetë 42 vjeç dhe mund të ketë realizuar një tjetër objektiv historik: 1000 golat në karrierë.
Portugezit i mungojnë rreth 30 gola për të arritur këtë shifër. Ndërkohë, Al Nassr e ka nisur sezonin në kampionat me fitore 3-0, në një ndeshje që Ronaldo e ndoqi nga tribuna.
Sulmuesi kishte mbërritur vetëm pak ditë më parë në Arabinë Saudite dhe ishte i pranishëm në stadium së bashku me bashkëshorten e tij, Georgina Rodríguez, dhe disa prej fëmijëve.

KOHA JONË SONDAZH

