Cristiano Ronaldo paralajmëron fundin: Ky do të jetë Botërori im i fundit
Pas 23 vitesh me fanellën e Portugalisë, 232 ndeshjeve, 146 golave dhe gjashtë pjesëmarrjeve në Kupën e Botës, Cristiano Ronaldo ka pranuar se Botërori 2026 do të jetë i fundit në karrierën e tij. Në konferencën për shtyp, një ditë para ndeshjes së Portugalisë në fazën e 1/8-ave, 41-vjeçari konfirmoi se po i afrohet fundit të rrugëtimit të tij me kombëtaren.
“Ky do të jetë Botërori im i fundit. Me ndihmën e Zotit, shpresoj që ndeshja e nesërme të mos jetë e fundit për mua”, deklaroi Ronaldo.
Kapiteni portugez theksoi se nuk e ndien veten të paplotësuar edhe nëse nuk arrin të fitojë trofeun e vetëm që i mungon në karrierë.
“Nuk më mungon asgjë. Zoti ka qenë bujar me mua. Nuk do të jem as më shumë dhe as më pak Cristiano Ronaldo nëse fitoj apo jo Kupën e Botës”, u shpreh ai.
Ronaldo kujtoi se debutimi i tij me Portugalinë erdhi 23 vite më parë në një ndeshje ndaj Kazakistanit, ndërsa tani mund të luajë sfidën e fundit në një stadium me mijëra tifozë, nëse Portugalia eliminohet nga Spanja.
Megjithatë, ai insistoi se fokusi i tij mbetet vetëm te suksesi i skuadrës.
“Gjithmonë më pyesni nëse kjo është ndeshja ime e fundit. Nuk dua ta kthej vëmendjen te kjo. E rëndësishme është që të kualifikohemi. Për pjesën tjetër do të shohim”, tha ai.
Sulmuesi legjendar u shpreh i qetë me gjithçka ka arritur në futboll dhe tha se largohet me ndërgjegje të pastër.
“Çfarëdo që të ndodhë nesër, do të largohem me ndërgjegje të pastër, madje jo 100 për qind, por 1000 për qind, sepse i kam dhënë gjithçka futbollit. Nuk luaj për para apo famë, por sepse e dua këtë sport. Duhet ta shijosh çdo ditë dhe të mos jetosh nën presionin se je i detyruar të fitosh”, deklaroi ai.
Ronaldo foli edhe për kritikat që ka marrë gjatë gjithë karrierës së tij, duke theksuar se ato vetëm sa e kanë bërë më të fortë.
“Prej 23 vitesh janë përpjekur të më ‘vrasin’. Nuk ia vlen t’u kushtosh shumë rëndësi. Tifozët portugezë nuk na kanë tradhtuar kurrë dhe kanë qenë gjithmonë në krahun tim. Gjithçka tjetër është zhurmë. Mosha të jep pjekuri dhe përvojë. Madje jam mirënjohës edhe për sulmet që kam marrë, sepse më kanë ndihmuar të rritem si njeri dhe si sportist”, përfundoi kapiteni i Portugalisë.
KOHA JONË SONDAZH

