Cristiano Ronaldo tallet me djalin e tij gjatë pushimeve: Ende jo!
Cristiano Ronaldo po shijon disa ditë pushimi pas zhgënjimit të Portugalisë në Kupën e Botës, por këtë herë vëmendjen e ka marrë një moment i veçantë me djalin e tij, Cristiano Ronaldo Jr.
Ylli portugez ka publikuar në rrjetet sociale një foto ku shfaqet pa bluzë së bashku me djalin e tij në një plazh shkëmbor në Mallorca. Të dy kanë pozuar duke treguar muskujt, ndërsa Ronaldo ka shfrytëzuar rastin për t’i bërë një batutë djalit të tij.
“Ende jo”, ka shkruar me humor sulmuesi portugez krahas fotografive, duke iu referuar diferencës fizike mes tij dhe djalit 16-vjeçar.
Cristiano Jr., i cili ka lindur në vitin 2010, po ndjek hapat e babait të tij në futboll. Ai është pjesë e akademisë së Al Nassr FC, të njëjtit klub ku luan edhe Ronaldo, dhe ëndërron që një ditë të ndajë fushën me të atin në nivelet më të larta.
Postimi i Ronaldos ka marrë shumë reagime nga tifozët, të cilët kanë vlerësuar marrëdhënien e veçantë mes babait dhe djalit. Shumë prej tyre kanë shprehur besimin se Cristiano Jr. mund të ndjekë gjurmët e legjendës portugeze.
Pavarësisht batutës së babait të tij, adoleshenti tashmë ka një fizik mbresëlënës. Ai është mbi 1.88 metra i gjatë dhe thuajse ka arritur gjatësinë e Ronaldos.
Pushimet e familjes Ronaldo në Mallorca po shoqërohen edhe me praninë e partneres së tij Georgina Rodríguez. Ndërkohë, mediat ndërkombëtare kanë rikthyer edhe zërat për një martesë të mundshme të çiftit, pasi Ronaldo është parë duke mbajtur në dorë një unazë të madhe diamanti gjatë qëndrimit të tij në ishull.


KOHA JONË SONDAZH

