Cucurella flet si “madrilen”: E pamundur të refuzosh një klub si Reali
Marc Cucurella është zyrtarisht pjesë e Real Madridit për sezonin e ri. Mbrojtësi spanjoll ka mbyllur aventurën me Chelsea-n dhe tashmë ka nisur kapitullin e ri në karrierë me fanellën e klubit madrilen.
Pas përfundimit të pushimeve pas Kupës së Botës 2026, Cucurella është rikthyer në Spanjë dhe është paraqitur në qendrën stërvitore të Real Madridit, “Valdebebas”, ku ka kryer vizitat mjekësore përpara nisjes së përgatitjeve me skuadrën.
Në një intervistë për televizionin zyrtar të klubit, 27-vjeçari ka dhënë edhe fjalët e para si futbollist i “Los Blancos”, duke treguar emocionet për transferimin te një prej klubeve më të mëdha në historinë e futbollit.
“Është shumë e vështirë të refuzosh mundësinë për të luajtur për një klub si Real Madridi. Nuk pata asnjë dyshim për vendimin tim”, u shpreh Cucurella.
Mbrojtësi spanjoll ka treguar se prej vitesh ka ndjekur nga distanca netët e mëdha europiane të Real Madridit dhe tashmë është gati t’i përjetojë ato nga brenda.
“Kam parë si spektator shumë prej atyre netëve magjike. Tani kam mundësinë t’i përjetoj vetë. Të jesh pjesë e diçkaje kaq të madhe është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe një sfidë shumë e bukur”, deklaroi ai.
Cucurella pritet të jetë një prej alternativave të rëndësishme për repartin defensiv të Real Madridit në sezonin e ri. Me eksperiencën e fituar në Premier League dhe me kombëtaren spanjolle, ai synon të fitojë menjëherë besimin e stafit teknik dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e projektit madrilen.
KOHA JONË SONDAZH

