Daja: Derbi ndeshja më e rëndësishme e kampionatit, Çinari është gati!

Partizani do të ketë nesër një ndeshje të ndezur ndaj Tiranës. Trajneri Ilir Daja, në prag të ndeshjes ka konfirmuar se Çinari do të jetë në stolin e rezervave, ndërkohë që sipas tij derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit.

“Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit. Sido që të jetë niveli ekipeve, derbet kanë qenë të paparashikueshme. Ky derb i gjen ekipet me një diferencë 3 pikë. Pothuajse janë aty-aty. Pa diskutim që ekipi do të jetë i motivuar, ashtu siç do të jetë dhe kundërshtari. Janë të 3 rezultatet në lojë, shpresojmë që fitorja të jetë për ne.

Është ndeshja e radhës, ka vlerën e 3 pikëve, përveç bonusit psikologjik. Nuk ka ndikim në ecurinë e mëtejshme të ekipit. Jemi më të konsoliduar tani. E presim ndeshjen me qetësi, gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion, mund të bëjmë ndërhyje edhe më shpejt se ndeshjet e tjera. Formën më të mirë po e kalojmë në këtë periudhë.

Shpresojmë që të ketë ndërhyrje edhe në mbrojtje. Po vëzhgojmë disa lojtarë nga tregu i huaj dhe ai shqiptar, që ofron shumë pak në cilësi, në repartin e mbrojtjes. Jemi fokusuar te 2-3 alternativa në tregun e huaj, për të zgjedhur më të mirin, ndoshta jo me ndonjë cilësi të jashtëzakonshme, por për të dubluar rolet, sepse kampionati është i gjatë.

Çinarin do ta quaja si një blerje të re. Përveç se është një nga lojtarët kryesorë të kampionatit shqiptar dhe Partizanit është një vlerë e shtuar për vetë faktin se e njeh ekipin dhe kampionatin. Ka qenë pjesa jonë gjatë kësaj periudhe. Do kohën për të marrë formën, sepse nuk ka ndeshje zyrtare të luajtura. Them se do të jetë “ogur” i mirë për të përballuar me sukses ndeshjen e nesërme. Ndoshta nuk mund të jetë pjesë e formacionit, sepse jemi përgatitur gjatë gjithë javës me mungesën e Çinarit, por që patjetër në momentin e duhur do ta hedhim në fushë”, deklaroi Daja.

SHKARKO APP