Daja: Kemi shumë oshilacione, lojtarët humbasin përqendrimin
Skënderbeu mori një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Flamurtarit, por trajneri Ilir Daja nuk ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës së tij. Në deklaratën pas ndeshjes, strategu i njohur theksoi se futbollistët nuk kishin përqendrimin e duhur.
“Kemi goxha oshilacione, e vumë re dhe sot. E prisja, pavarësisht se punuam për t’i ulur lojtarët me këmbë në tokë. E pasqyra e gjysmës së parë të kampionatit ka qenë e tillë, kemi vuajtur me Flamurtarin. Nuk është i njëjti përqendrim, pavarësisht se Vlora sot duhet të komplimentohet, sepse nuk u mblodh mbrapa dhe bëri futboll të hapur. Shpejtësi e veprimit tonë ishte e ulët, duke i ulur befasinë sulmit.
Sulmet e shpejta janë një nga elementet tona më të forta. Po të shikojmë strukturën, lojtarët nivelin teknik e kanë shumë të mirë, për të krijuar befasi në sulm. Sot kishim ndërtuar një tjetër manovër për ta vënë në vështirësi Flamurtarin, përqendrimi nuk ka qenë i duhuri, kjo gjë më shqetëson.
Fajin kryeson e merr trajneri bashkë me stafin. Pavarësisht se ne jemi munduar ta largojmë ekipin nga situata me UEFA-n, kjo shfaqet. Lojtarët njësoj duhet të sillen si me Partizanin si me Flamurtarin. 3 pikë është fitorja me Partizanin, 3 pikë është dhe me ekipet e tjera. Me të mbaruar ndeshja me Partizanin, lojtarët po festonin, ndërsa unë iu thashë që të uleshin me këmbë në tokë, se këto ndeshje i kemi më shumë problem”, deklaroi Daja.