Daja: Kishim probleme taktike dhe përqendrimi, i papranueshëm gjesti i Çinarit

Partizani ka marrë vendin e parë në klasifikim, pasi mposhti me përmbysje Kastriotin me rezultatin 3-1. Në lidhje me këtë sfidë dhe vazhdimësinë ka folur trajneri Ilir Daja. Tekniku, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi:

Na gëzon fakti që morëm 3 pikët, por në aspektin taktik kemi pasur goxha probleme, kjo sa i përket atyre që i kishim kërkuar lojtarëve. Nuk kanë faj ata, kur lojtarët dalin nga detyrat taktike, përgjegjësinë e merr stafi, pra është përgjegjësia ime.

Do ndalemi në analizë për të parë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë nuk kemi bërë mirë, nuk mund t’i nisim ndeshjet duke pësuar gol. E veçantë, përveç shënimit të golave, shënuan dy nga lojtarët tona të sulmit: Junior dhe Asani. Komplimente edhe Hakajt për golin, bëri një goditje të shpejtë që rrallë e përdor.

E dinim që Kastrioti do na shfaqej me dy mënyra: ose me presing sipër ose me presing poshtë. Nuk është problem motivimi, ata e ndjejnë që është fundi i kampionatit, është mungesë përqendrimi, flas në raport me ndeshjen me Ballshin.

Çinari? Nuk është fare i pranueshëm ai lloj reagimi, çfarëdo që të ketë ndodhur në fushë. Nuk i takova lojtarët në fund të ndeshjes, nuk doja t’i takoja në dozë emocionale. Do ulemi gjatë, nuk i takon Çinarit dhe asnjë lojtari të Partizanit të lërë ekipin me dhjetë lojtarë, pavarësisht se po fitonim. Nuk janë gjëra të pranueshme.

Melo ka munguar në stërvitje, është ekzaminuar, të shohim se çfarë dëmtimi do të ketë. Lojtarët që nuk aktivizohen duhet të komplimentojnë dhe të mbështesin ata që luajnë. Vetëm me frymë grupi mund të realizojmë objektivat tona.

Nuk e mendonim që të ishim në vend të parë, me gjithë problematikën që kemi pasur, flas për startin e kampionatit. Na ndihmoi futja e Kotes, vepron në zona të vogla, por edhe Buba, i cili e ka në bagazhin e tij pasin e fundit. Goli i Hakajt na dha qetësi, ndërsa goli i Junior i dha shansin ekipit të kontrollojë ndeshjen“, përfundoi trajneri i Partizanit. /abcnews.al

SHKARKO APP