Daja: Me Teutën synojmë rezultat pozitiv, i lumtur që më duan ekipet e tjera
Skënderbeu synon një rezultat pozitiv ndaj Teutës pas dy humbjeve radhazi në kampionat.Në prononcimin e dhënë para ndeshjes me durrsakët, trajneri Ilir Daja është shprehur se bardhekuqtë i kanë mundësitë për tu kthyer te rezultatet pozitive. Gjithashtu Daja ka folur edhe për interesimin e disa skuadrave për ta marrë atë në drejtim, duke shtuar se ky është një vlerësim për të, por mendon vetëm për Skënderbeun.
“Duhet të rikthehemi në ecurinë pozitive, pasi kemi dy humbje rresht pas 9 rezultateve pozitive. Kjo do të thotë se probabiliteti është më i madh se të biem në presionin e humbjes. Mendoj që në ditën e nesërme mund të rikuperohet edhe Bregu dhe do të jemi me kontingjent më të plotë, por përgatitemi dhe më e rëndësishmja është që kemi më shumë kohë për përgatitje për Teutën, pasi e dimë se Teuta po kalon një periudhë shumë të mirë me disa rezultate pozitive.
Interesimet? Është një periudhë merkatoje dhe jo vetëm për futbollistët por edhe për trajnerët do ketë interesime. Unë jam i përqendruar në maksimum te Skënderbeu, pasi kjo është pjesë e karakterit tim, që pa mbaruar një punë dhe një kontratë me klubin ku jam nuk bëj marrëveshje me të tjerët.
Unë i vlerësoj të gjitha, pasi është një vlerësim për ato që kam arritur në karrierë, por në fund jam drejtuesi i Skënderbeut dhe në këtë kohë merkatoje duhet të bëj të fokusohen futbollistët në fushë, pasi jemi te Skënderbeu për ta ngjitur në tabelë dhe jo të merremi me gjërat që nuk i takojnë momentit”, u shpreh Daja.