Daja: Teuta është “treni i fundit” për titullin, jemi të detyruar të fitojmë!

Partizani ditën e nesërme do të luajë sfidën përcaktuese për titullin kampion, teksa do të sfidojë kryesuesit e Teutës. Rezultati i vetëm që i shkon përshtat të kuqve është vetëm fitorja. Trajneri Ilir Daja në konfernecën  konferencën e zakonshme për shtyp pranoi rëndësinë e transfertës në “Niko Dovana” dhe theksoi se Partizani do të luajë gjithçka për gjithçka ndaj Teutës.

“Është një ndeshje ku do të luhet gjithçka për gjithçka dhe nëse duam t’i kemi gjërat në dorën tonë, besoj që është treni i fundit. Kemi një kundërshtar të vështirë sepse luan vendi i parë me të dytin dhe Teuta pozicionohet në këtë kampionat sepse ka ditur të menaxhojë shumë mirë deri në këto javë. Është mbrojta më e mirë, por ne kemi sulmin më të mirë. Sigurisht që loja ka 2 faza dhe duhet mos përballemi vetëm në këtë lloj situate, por duhet të mendojmë edhe për raportet e mbrojtjes, se edhe Teuta ka lojtarë që nëse do i lesh hapësirat e duhura mund të të godasin.

Fitorja mungon prej dy vitesh në Durrës? Kam dëgjuar që Partizani kishte 7 vite pa fituar me një ekip tjetër, për etikë nuk po e përmend. Besoj që në këtë vit që unë drejtoj bashkë me stafin Partizanin, kemi marrë njësoj pikë të dy ekipet. Që do të thotë që nesër do të luftojmë patjetër për të marrë 3 pikëshin. Ky 3 pikësh të jep edhe një bonus tjetër, sepse me ndeshje direkte pastaj pozicionohemi më mirë se Teuta.

Fakti që as Teuta nuk na ka mundur asnjëherë, raportet janë 50 me 50. Duhet të jemi të kujdesshëm, ta shtrimë këtë lloj përqendrimi. Duhet të jemi të kujdesshëm, mos të prishim ekuilibrat, Teuta pëson pak gola. Pra duhet të sulmojmë me më shumë forca, duke pasur një mënyrë tjetër të luajturi në Durrës, më qenë së duhet të rriskojmë për të marrë 3 pikësh.

Presion për fitore? Besoj që unë nuk jam këtu për Teutën. Po shikoja kalendarin e ndeshjeve në vazhdim, nuk mendoj që edhe Teutës i leverdis barazimi, sepse mbas ndeshjes tonë, shkon në një transfertë të vështirë në Laç. Mendoj që edhe ata duan ta fitojnë ndeshjen. Ne jemi të detyruar, por në fund fare nuk do të zhbalancohemi. Është më mirë ta menaxhosh një ndeshje kur është barazim apo në avantazh sesa në disavantazh.

Ngjeshja e kampionatit ka bërë të vetën, por të gjithë ekipet e kanë ndjerë këtë lodhje fizike, ashtu siç çdo njeri. Them që të gjithë janë në raporte të barabarta. Na gëzon fakti që kemi një gjendje fizike më të mirë, këtë e kemi vërtetuar në pothuajse të gjithë ndeshjet e fundit të fazës së katërt”, deklaroi Daja.

 

SHKARKO APP