De Biasi e Cana me një zë-tifozëve: Pa eufori, për fitore ndaj Armenisë
Ndaj Armenisë duhet të luhet një ndeshje perfekte nga ana e Kombëtares Shqiptare, në mënyrë që të evitohet ndonjë surprizë e pakëndshme. Futbolli ka edhe të tilla, ndaj edhe mesazhi që trajneri i kuqezinjve Gianni De Biasi jep një ditë para ndeshjes ishte që të gjithë, duke përfshirë edhe tifozët, të ruajnë qetësinë, duke vlerësuar kualitetet e kundërshtarit. – “Duhet të bëjmë një ndeshje taktikisht perfekte pa lejuar hapësira për kundërshtarin, sepse kanë kualitete në kundërsulm. Ne nuk luajmë për barazim, por për fitore. Për të fituar duhet studiuar loja e kundërshtarit, të përgatitemi psikologjikisht dhe të bëjmë detyrat që kemi kryer në stërvitje. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos na pushtojë entuziazmi. Kundërshtari ynë është i rrezikshëm dhe duhet marrë në konsideratë ndërsa ne duhet të shfrytëzojmë kualitetet tona,” – shprehet Gianni de Biasi. Në një linjë me trajnerin shprehet edhe kapiteni Lorik Cana i cili kujton se skuadra jonë ka gabuar shpeshherë kur i është kërkuar fitorja, ndaj edhe me kundërshtarë me të cilët është konsideruar më e lehtë fitorja. Futbollisti i Lacios në Seria A, Cana, thotë se suksesi i deritanishëm dhe i së ardhmes është objektivi i grupit. –“Skuadra jonë ka më shumë përvojë dhe di të përshtatet me çdo lloj situate gjatë ndeshjes, di të reagojë dhe kjo është pozitive. Do të luajmë për fitore por në fund do të flasë fusha.” – shprehet Lorik Cana. Vlerësimi ndaj kundërshtarit nuk mungon edhe nga kapiteni Cana, analizohet loja e zhvilluar nga Armenia në grup, duke u paraqitur mirë ndaj çdo kundërshtari. Edhe pse ky ekip ka humbur me Portugalinë dhe Danimarkën, në të dyja ndeshjet e para, Armenia ka qenë shumë pranë një rezultati pozitiv. Një pikë të vetme që ka pas tre ndeshjeve të para, armenët e morën në përballjen me Serbinë. Kësisoj në “Elbasan Arena” ata do të tentojnë me çdo kusht t’i shkëpusin qoftë edhe një pikë skuadrës sonë përfaqësuese. – “Armenia ka qenë një kundërshtar të vështirë për skuadrat më të mëdha të grupit dhe nuk ka arsye pse të mos jetë për Shqipërinë,” – vijoi më tej Lorik Cana. Në një linjë me trajnerin De Biasi, edhe kapiteni Cana ka lëshuar edhe një mesazh për tifozët që duhet të tregohen të duruar me skuadrën në arritjen e rezultatit të dëshiruar. Dihet se skuadra jonë kombëtare ka mbështetje të fuqishme nga tifozët dhe presioni për fitore ndikon ndonjëherë negativisht në lojën e kombëtares sonë.
KOHA JONË SONDAZH

