De Biasi shijon fitoren: Luksemburgu s’qe i lehtë
Teksa Shqipëria ka fituar ndaj Luksemburgut, trajneri De Biasi ka bërë një bilanc të dy ndeshjeve miqësore, edhe asaj me Austrinë, duke evidentuar vështirësitë.
“Le ta nisim nga kjo mbrëmje, në këtë terren ishte e pamundur të mbaje ekuilibrin, e provuan që dje në stërvitje kur u vra Xhaka, ndërsa sot ishte edhe më keq. Pothuajse e pamundur të qëndroje në këmbë edhe me ndihmën e takave të gjata. Sa për atë që kërkonim për mua ishte një ndeshje e luajtur mirë, ku nuk rrezikuam dhe ku krijuam gjithsesi raste për gol”, tha ai.
Ka nga ata që do t’i thonë se në fund të fundit ishte një fitore ndaj Luksemburgut modest, por De Biasi edhe këtu ka vendosur t’u paraprijë të gjithëve.
“Është e qartë që do thuhet, fituam kundër Luksemburgut, por u kujtoj që Luksemburgu pak kohë më parë mundi Greqinë, ndërsa dy vjet më parë barazoi në Itali 1-1. Ndeshjet duhet t’i luash, të gjithë kundërshtarët sot janë të organizuar dhe mundohen të ta bëjnë jetën të vështirë. Ajo që më pëlqeu sot ishte se lojtarët hynë në fushë me përqëndrim. Skuadra u ndryshua me 10/11 pasi vetëm Berisha ishte dhe besoj se nga rezultati dhe këndvështrimi i lojës, ajo që u pa ishte një ndeshje e mirë”, komentoi ai.
Një tjetër ndërhyrje në sparkatë nga De Biasi kur pyetet nëse luajti më mirë Shqipëria 1 ndaj Austrisë apo ajo 2 daj Luksemburgut.
“Sot luajti Shqipëria e parë, siç ishte e para dhe ajo ndaj Austrisë. Nuk ka një Shqipëri 1 dhe një Shqipëri 2. Këta janë djem të barabartë dhe mund të luajnë të gjithë në varësi të momentit dhe kundërshtarit, por duke kërkuar gjithmonë të përmirësohemi në disa aspekte”, shton ai.
De Biasi jep më tej edhe shpjegimin se pse Shqipëria ka luajtur më mirë në pjesën e dytë në dy takimet e fundit.
“Në Vjenë gabuam në bërjen e gjërave që kishim pregatitur dhe thënë gjatë javës, e qartë që kur je në fushë ka dhe tension pasi ke kundërshtarë të fortë. Në pjesën e dytë në pushim ju tregon disa gjëra dhe ndryshohet, ndërsa sot ne mund të kishim shënuar që në pjesën e parë nëse portieri nuk do rrëzonte Cikalleshin, pastaj në të dytën ishim në superioritet numerik dhe e shfrytëzuam duke punuar nga krahët, pasi nëse sulmonim vetëm në qendër nuk do t’i çanim”, sqaron trajneri i Kombëtares shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

