De Biasi viziton Partizanin: Ndaj Armenisë, më duhen lojtarët më të mirë
Trajneri italian i stolit kuqezi u ndal sot në Pezë Helmës, ku stërvitet ekipi i Partizanit, për t’u takuar me drejtuesit kryesorë të kryeqytetasve si dhe vlerësoi punën e kolegëve të tij në Shqipëri. I shoqëruar nga drejtori teknik , Sulejman Starova, trajneri Shpëtim Duro, si dhe portieri i kësaj skuadre, që është bërë pjesë e ekipit përfaqësues pak kohë më parë, Alban Hoxha, De Biasi duket në humor të mirë. Një ditë pas vizitës që ai kreu tek Tirana, sot ishte radha e Partizanit. -“Kisha dëshirë të shikoja punën që bëjnë kolegët në kampionatin shqiptar me të cilët diskutova edhe rreth gjendjes fizike të disa lojtarëve. Ne i ndjekim të gjithë. Edhe kur unë nuk jam i pranishëm këtë e bëjmë nëpërmjet televizorit dhe internetit,’ – theksoi trajneri i kombëtares sonë, Gianni de Biasi. Gjithsesi, ai po mendon që tani për ndeshjen e ardhshme kualifikuese Euro 2016, ndaj Armenisë. – “Mungojnë edhe dy muaj nga ndeshja shumë e rëndësishme me Armeninë. Duhet të kërkojmë të marrim në kombëtare lojtarët që janë më mirë fizikisht dhe në këtë optikë po vëzhgojmë edhe disa prej tyre që luajnë në Kampionatin Shqiptar.” Disa prej kuqezinjve të De Biasit kanë ndryshuar destinacion gjatë merkatos së dimrit, por trajneri nuk nxitohet me përfundime, duke theksuar se e rëndësishme është që ata të integrohen sa më shpejt te skuadrat e reja. – “Kam folur me të gjithë lojtarët që kanë ndryshuar skuadër. E rëndësishme është që të ambientohen sa më shpejt dhe të luajnë për të fituar sa më shumë eksperiencë.” Trajneri i kuqezinjve flet për të ardhmen e lojtarëve të kombëtares sonë, për lëvizjet e merkatos së verës. – “Lenjani te Rennes? Shpresoj që kjo skuadër t'i japë sa më shumë eksperiencë, por do ta tregojë koha nëse kjo është skuadra e duhur për të.” Sakaq, 58-vjeçari la një derë të hapur edhe për prurjet e reja në Kombëtare nga Kategoria Superiore, duke nënvizuar se nën drejtimin e tij, kuqezinjtë kanë afruar shumë lojtarë nga kampionati vendas. Njëri prej tyre është edhe portieri Alban Hoxha, të cilin De Biasi e konfirmon në grupin që drejton pas mungesës së gardianit të Partizanit për dy miqësoret e Francës dhe Italisë. – “Alban Hoxha është pjesë e tre portierëve të mi titullarë. Ai është një portier që më pëlqen shumë por mbi të gjitha më pëlqen sepse është një njeri serioz në punën që bën.” Trajneri i ekipit tonë kombëtar, ndërkaq, e konsideron veten me fat që është në stolin kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

