De Ligt s’është çështje te Juventusi, zbulohet arsyeja e lënies në stol në sfidat e fundit

Matthijs de Ligt është një ndër të rinjtë më të talentuar në planet. Vetëm 20-vjeç dhe ka në muzeun personal  1 kampionat holandez, 1 kupë dhe 21 ndeshje më përfaqësuesen e Holandës, por deri më tani ai nuk ka mundur që të lërë shumë gjurmë te Juventusit.

Maurizio Sarri ka preferuar që në 5 ndeshjet e fundit, t’i besojë qendrën e mbrojtjes një tjetër të riu me shumë cilësi si turku 21-vjeçar Merih Demiral. De Ligt nuk zbret në fushë si titullar  që nga data 7 dhjetor kur bardhezinjtë u dorëzuan në “Olimpico” ndaj Lazios 3-1, madje nuk ka luajtur asnjë minutë në 3 sfidat e fundit kundër Sampdorias, Lazios në Superkupë dhe Cagliarit.

Megjithatë nuk ka një çështje De Ligt, tek Juventusi kanë nxituar të largojnë çdo tymnajë duke informuar se holandezi nuk ka luajtur në dakordësi të plotë me trajnerin për të rikuperuar energjitë, pra Sarri dhe klubi kanë menduar duke marrë edhe “ok”-in e lojtarit që De Ligt të mos aktivzohet për të administruar edhe aspektin fizik.

Trajneri toskan e vlerëson maksimalisht qëndërmbrojtësin, madje jo shumë kohë më parë deklaroi se Matthijs de Ligt do të jetë një ndër futbollistët më të mirë në botë, mbetet për t’u parë nëse këtë fundjavë kundër Romës do ketë përfunduar apo jo periudha e pushimeve të detyruara për 20- vjeçarin.

SHKARKO APP