Debatik Curri: Mavraj, zgjedhja e duhur ndaj Armenisë
Ndaj Armenisë, në fitoren 2-1, Debatik Curri mund të kishte qenë titullar, pasi ishte planifikuar të luante i tillë nga De Biasi. Por riaftësimi në kohë rekord dhe vendosmëria e mbrojtësit Mërgim Mavraj, që kërkoi të luante edhe pse nuk ishte stërvitur asnjë ditë para ndeshjes, detyroi trajnerin Gianni De Biasi t'i besonte mbrojtësit të Këlnit vendin në 11-shen bazë. Një zgjedhje që gjithsesi nuk e zbeh entuziazmin e lojtarit kosovar të Tiranës për fitoren, pasi për të ashtu si dhe për pjesën tjetër të kombëtares më i rëndësishëm është grupi sesa paraqitjet individuale. –“Ishte e drejtë të luante Mavraj, pasi ai është aktivizuar në ndeshjet e fundit. Gjithashtu dhe unë kisha patur probleme fizike në fillim të javës. Megjithatë Mavraj shënoi dhe golin e barazimit dhe prania e tij në fushë shërbeu për mirë. Me Armeninë, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe fitorja na jep besim për takimet e ardhshme.” – shprehet Curri. Për kombëtaren Curri do të ketë kohë për të menduar deri në qershor, por tashmë vëmendja e tij përqendrohet e gjitha te kampionati. Bardheblutë që këtë fundjavë luajnë me Flamurtarin. Vlonjatët kanë dalë nga objektivat pas një serie negative prej pesë humbjesh radhazi, por Curri nuk i zë besë Flamurtarit dhe kërkon përqendrim maksimal. – “Flamurtari është e vërtetë që nuk ka objektiva, por do të aktivizojë lojtarë të rinj dhe ata do të kenë dëshirë për të rënë në sy ndaj do të japin maksimum. Do të jetë në ndeshje e vështirë dhe nuk e shoh aspak të thjeshtë për ne. Gjithsesi jemi të përgatitur për të marrë fitoren, pasi 3 pikët janë i vetmi rezultat që na nevojitet,” – shprehte mbrojtësi. Më tej mbrojtësi me eksperiencë i Tiranës e sheh ekipin e tij në garë për titull dhe thekson se skuadra do të besojë deri kur matematika t’ja lejojë një gjë të tillë. – “Nga tani e mbrapa për ne janë 8 finale. Ne besojmë te titulli dhe gjithashtu dhe te fitimi i Kupës. Tirana nuk dorëzohet dhe do të luajë deri në fund për t'i fituar këto dy trofe,” – përfundon Curri. Këtë sezon, Tirana i ka fituar dy sfidat në “Qemal Stafa” ndaj Flamurtarit, por ka barazuar në fazën e dytë në Vlorë, pa gola.
KOHA JONË SONDAZH

