Debutimi i tmerrshëm i Luca Zidane në Botëror, Messi shënon tripletë ndërsa Zizou shikon i zhgënjyer
Në një natë historike për Lionel Messin, portieri Luca Zidane përjetoi një debutim të paharrueshëm në Kupën e Botës. Kapiteni i Argjentinës, në moshën gati 39-vjeçare, shënoi për herë të parë tre gola në këtë kompeticion, duke barazuar Klose në krye të listës së golashënuesve të të gjitha kohërave në turne dhe duke lënë pas Ronaldo Fenomenin. Kjo arritje e Messit erdhi në kurriz të portierit algjerian, djali i legjendës Zinedine Zidane, i cili vitin e kaluar zgjodhi të ndryshonte kombësi. Babai i tij, Zinedine, u pa në tribuna duke tundur kokën me zhgënjim, një moment që shpejt u bë viral në rrjetet sociale pas golit të dytë të pësuar.
Luca Zidane u befasua në dy golat e parë të Messit. Ai ishte jashtë pozicioni në goditjen nga distanca në minutën e 17-të dhe aspak i saktë në goditjen e Mac Allister në pjesën e dytë, duke e kthyer topin direkt te këmbët e Messit për golin e dytë. Pas ndeshjes, portieri i lindur në vitin 1998 pranoi: “Njerëzit presin gabimin për të folur për mbiemrin tim.” Kjo deklaratë reflekton presionin e madh që ai përjeton për shkak të famës së babait të tij. Pavarësisht disa ndërhyrjeve të mira gjatë ndeshjes, dy nga tre golat e pësuar ishin kryesisht faji i tij, duke e bërë debutimin e tij një makth të vërtetë.
Luca është i dyti nga katër djemtë e Zinedine Zidane, të gjithë futbollistë. Enzo, më i madhi, u tërhoq disa vite më parë pas një karriere jo shumë të suksesshme. Theo dhe Elyaz janë ende të rinj; Theo luan me Cordoba (lindur në 2002), ndërsa Elyaz me ekipin B të Betis (lindur në 2005). Deri më tani, Luca ka qenë i vetmi që ka arritur të krijojë një hapësirë në futbollin e madh, duke u rritur në akademinë e Real Madridit përkrah kampionëve si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale dhe Karim Benzema. Ai madje ka luajtur dy ndeshje si titullar me fanellën e “Los Blancos” midis viteve 2018 dhe 2019, kur babai i tij, Zinedine, ishte trajner. Aktualisht, ai luan në Liga2 me Granadën.
Në prill të vitit të kaluar, Luca pësoi një përplasje të rëndë gjatë një ndeshjeje me Almerian, e cila i shkaktoi thyerje të mjekrës dhe nofullës. Ai rrezikoi të humbiste Kupën e Botës, por me maskën speciale mbrojtëse të veshur kundër Argjentinës, mori dritën jeshile nga mjekët për të zbritur në fushë. Pasi kaloi të gjitha fazat e ekipeve të të rinjve të Francës, duke fituar edhe një Kampionat Evropian U-17, në shtator 2025 ai zgjodhi të vishte fanellën e Algjerisë. “Mendova menjëherë për gjyshin tim,” rrëfeu Luca Zidane. “Që të vegjël kemi pasur një ndikim të fortë kulturor algjerian në familje. Fola me të para se të bëja këtë hap, dhe kur e mori vesh, ishte krenar për mua. Sa herë shkoj në kombëtare, më telefonon dhe më thotë se kam marrë një vendim të mirë. Ta bëj atë të lumtur është shumë e rëndësishme për mua.” Ai kishte luajtur edhe në Kupën e Afrikës së fundit me Algjerinë.
Për Messin, 16 qershori do të mbetet një ditë e paharrueshme: në vitin 2006, ai debutoi në Kupën e Botës duke shënuar kundër Serbisë, në një turne ku ishte i pranishëm edhe Zinedine Zidane. Njëzet vjet më vonë, në të njëjtën ditë, kapiteni i Argjentinës shënoi tre gola kundër djalit të kampionit francez, duke arritur në kuotën e 120 golave gjithsej me kombëtaren. Pas mbrëmjes së vështirë kundër skuadrës së Scalonit, Luca Zidane tani rrezikon të humbasë vendin e tij si titullar. Benbout, numri 1 i Algjerit, ka grumbulluar vetëm tre paraqitje me kombëtaren, por është mësuar me skena të mëdha, duke luajtur shumë ndeshje në Ligën e Kampionëve të Afrikës. Luca, i lindur në 1998, ka luajtur gjithmonë në Spanjë me klube si Racing Santander, Rayo Vallecano, Eibar dhe Granada. Tani është me Algjerinë, për gjyshin Smail. Luca sigurisht që mund të bëjë më mirë se kaq.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

