Debutoi me humbje, Maran: Shqipëria tregoi sinjale pozitive, por humbëm ekuilibrin në pjesën e dytë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 0-1 ndaj Izraelit në debutimin e tij në stolin kuqezi, por njëkohësisht evidentoi disa elemente pozitive në lojën e skuadrës.

Tekniku italian pranoi se kishte shpresuar ta niste aventurën me një rezultat tjetër, megjithatë vlerësoi paraqitjen e ekipit në disa momente të takimit.

“Më vjen keq që ndeshja përfundoi në këtë mënyrë, pasi doja një rezultat tjetër në ndeshjen time të parë. Kemi alternuar momente të mira dhe të këqija, por në disa faza të lojës krijuam situata që mund t’i shfrytëzonim më mirë”, deklaroi Maran.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke komentuar zgjedhjet taktike dhe pozicionimin e lojtarëve si Hoxha, Laçi, Mehmeti dhe Ramadani, trajneri shpjegoi se vendimet u diktuan nga karakteristikat individuale të futbollistëve. Sipas tij, në pjesën e parë Shqipëria funksionoi mirë, ndërsa pas pushimit humbi balancën në fushë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Menduam që lojtarët të alternonin pozicionet dhe të mbështesnin sulmuesin e qendrës. Hysaj kishte detyrën të ndihmonte në ndërtimin e lojës nga prapa. Izraeli është një skuadër teknike që të vë në vështirësi me presingun dhe posedimin e topit, ndërsa ne humbëm ekuilibrin në pjesën e dytë”, u shpreh ai.

Maran theksoi se skuadra është ende në fazën e parë të punës me stafin e ri teknik dhe se duhen korrigjuar elementët që nuk funksionuan në këtë sfidë.

“Kam vetëm pak ditë që punoj me ekipin dhe nuk është e lehtë të mendosh menjëherë për ndeshjen e ardhshme pas një humbjeje. Duhet të analizojmë atë që nuk shkoi mirë dhe të përforcojmë aspektet ku kemi nevojë për përmirësim”, tha trajneri.

Tekniku italian komentoi edhe paraqitjen e sulmuesit Armando Broja, duke e cilësuar atë një pikë të rëndësishme referimi për repartin ofensiv.

“Broja është një lojtar kyç për skuadrën dhe për futbollistët e krahut. Ai lëviz shumë në fushë për shkak të karakteristikave të tij, por një sulmues qendre ka nevojë të furnizohet me topa dhe sot nuk pati shumë mundësi”, analizoi Maran.

Në fund, trajneri falënderoi tifozët shqiptarë për mbështetjen dhe mikpritjen që ka gjetur që nga marrja e detyrës.

“E kam ndjerë mikpritjen e shqiptarëve dhe më vjen keq që nuk arrita ta shpërblej me një rezultat pozitiv. Megjithatë, kjo ndeshje na dha indikacione të vlefshme për të vazhduar punën dhe për të synuar rezultate më të mira në të ardhmen”, përfundoi kreu i stolit kuqezi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?