Debutoi në Olimpiadë, Colturi: Dite speciale, mezi pres të zbres në pistë pas dy ditësh
Skiatorja e re Lara Colturi bëri debutimin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, duke u renditur në vendin e 16-të në garën e sllallomit gjigant. Paraqitja e 19-vjeçares ishte mjaft pozitive, veçanërisht në zbritjen e parë, ku regjistroi kohën e katërt më të shpejtë.
Sportistja me origjinë italiane që garon për Shqipërinë ndau emocionet e saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar ditën si të paharrueshme dhe duke theksuar mbështetjen e madhe që ka marrë. Ajo përgëzoi gjithashtu kampionen Federica Brignone për dy medaljet e arta, duke theksuar se një rezultat nuk përcakton vlerën e një sportisti.
“Olimpiket e mia të para, sot slalomi gjigand dhe çfarë dite ishte, kam marrë kaq shumë dashuri nga njerëzit pranë meje dhe ajo mbështetje më dha një forcë të jashtëzakonshme. Më çoi te porta e startit me vetëdijen e asaj që jam dhe çfarë jam e aftë të bëj. Sic ka thënë edhe Federica Brignone, një rezultat nuk të përcakton si je dhe unë dua ta uroj për fitoret e dy medaljeve të arta”.
Colturi u shpreh krenare për performancën e saj, duke pranuar se edhe vetë u surprizua nga shpejtësia në zbritjen e parë, ndërsa të dytën e konsideroi më pak të suksesshme.
‘Sot jam krenare për atë çfarë bëra dhe çfarë solla në pistë, zbritja e parë të them të drejtën edhe mua vetë më surprizoi, e dija që po skijoja mirë, por nuk e prisja të isha aq shpejt. I provova vetes se mund t’ia dal. Zbritja e dytë nuk shkoi sic doja, por gjithnjë do të ruaj në zemër emocionet e ditës së sotme. Kalimi i vijës së finishit pas zbritjes së parë dhe të dëgjoja zhurmën e njerëzve ishte thjesht e pabesueshme. Në atë moment kuptova sa shumë njerëz gëzonin për mua, më mbështesnin dhe më donin dhe unë do të jem gjithnjë mirënjohëse”.
Skiatorja do të rikthehet në pistë më 18 shkurt për garën e sllallomit, ku synon një tjetër paraqitje të mirë.
KOHA JONË SONDAZH

