Dedja: Fanella e Vllaznisë është barrë e rëndë, me Bylis tregojmë cilësitë tona!

Pas debutimit me barazimin 2-2 në Kupë kundër Teutës, Hysen Dedja është gati që të drejtojë Vllazninë edhe në një ndeshje kampionati.

Kuqeblutë presin Bylisin nesër në “Loro Boriçi” dhe fitorja është alternativa e vetme për të evituar rënien në vendin e 8 që të dërgon në zonën “Play out”. Në konferencën para mediave strategu shkodran beson se faktori fushë mund t’i ndihmojë që të marrin një rezultat pozitiv.

“Unë interesohem për jetën personale të lojtarëve. Vazhdimisht kam folur me mjekun në analizat në grup, për qëllimin tonë dhe atë barrë të rëndë që e thonë edhe sportdashësit jashtë Shkodrës. Fanella e Vllaznisë është barrë e rëndë.

Mendoj se nesër do shfrytëzojmë fushën tonë pa asnjë shenjë euforie dhe do të tregojmë cilësitë tona. Do ketë pak lëvizje në formacion nga ndeshja për Kupë me Teutën.

Kupa? Unë dhe skuadra jemi të përqendruar në ndeshjen e nesërme me Bylisin. Do doja shumë t’i përgjigjesha pyetjes suaj në lidhje me luftën në dy fronte, por le të fokusohemi te Bylis”.

SHKARKO APP