Del Piero: Pirlo mund të bëhet trajner më i mirë se Zidane!
Alessandro Del Piero beson se ish-shoku i tij i skuadrës, Andrea Pirlo mund të bëhet më i mirë se Zidane në rolin e trajnerit të Juventusit. Drejtuesit e skuadrës torineze shkarkuan Sarrin dhe i besuan pankinën ish-mesfushorit të njohur. Pirlo u emërua trajner i Juventusit U-23, por pa arritur të drejtojë asnjë ndeshje, pasi e vendosën në krye të ekipit të parë të bardhezinjve. Në një intervistë për “Sky Sport Italia” Del Piero tregoi habinë e tij për emërimin e Pirlos trajner por njëkohësisht shpreh besimin se do bëjë mirë.
“Të jem i sinqertë, nuk do të kisha vënë bast se Pirlo do zgjidhej trajneri i ri i Juventusit. Ishte një surprizë edhe për mua. Më përpara duhej të kaloje një proçes të gjatë për tu bërë trajner, por kohët e fundit kam parë Inzaghin dhe Gatusson të kenë sukses. Ato kanë qenë lojtarë të mëdhenj dhe e kanë nisur rolin e trajnerit direkt me skuadrat e para.
Nuk është i drejtë krahasimi me Zinedin Zidane, pasi Zizou ka punuar më parë me skuadrën e të rinjve tek Real Madrid dhe më pas ishte asistent i Carlo Ancelottit, por Pirlo ka gjithçka për të qenë më i mirë se Zidane. Pirlo tashmë e njeh klubin, lojtarët, drejtuesit dhe mendoj se komunikojnë në një mënyrë mjaft të mirë”, deklaroi Del Piero.
Zidane fitoi 3 Champions League radhazi në krye të stolit të Real Madrid, një arritje që juventinët e kanë ëndërr prej kohësh.