Dembele ka disa këshilla për Mbappe në prag të fillimit të Kupës së Botës
Sulmuesi francez Ousmane Dembele po fiton gjithnjë e më shumë peshë brenda kombëtares së Francës në prag të Kupës së Botës 2026, duke u shndërruar në një nga figurat kryesore të grupit falë paraqitjeve të jashtëzakonshme me klubin e tij, PSG.
Sipas raportimeve të gazetës franceze L’Equipe, Dembele i ka dhënë një këshillë të drejtpërdrejtë shokut të tij të skuadrës dhe mikut të ngushtë, Kylian Mbappe, duke i kërkuar të kontribuojë më shumë në fazën mbrojtëse dhe në presionin ndaj kundërshtarëve. Qëllimi, sipas raportit, është forcimi i kombëtares franceze dhe rritja e shanseve për të fituar titullin botëror.
Gazeta thekson se marrëdhënia e ngushtë mes dy futbollistëve i ka mundësuar Dembélés të japë këtë sugjerim pa krijuar tensione brenda ekipit. Ai mbështetet në përvojën e tij të suksesshme te PSG nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique, ku ishte një nga lojtarët kyç në sistemin e presionit të lartë që karakterizoi skuadrën gjatë dy sezoneve të fundit.
Megjithëse Mbappé mbetet kapiteni dhe figura më e rëndësishme e “Gjelave”, Dembélé nuk synon të rivalizojë me të për ndikim në dhomat e zhveshjes. Përkundrazi, ai kërkon të sjellë në kombëtare disa nga elementët që kontribuuan në suksesin e PSG-së, në funksion të interesit të ekipit.
Dembélé gëzon aktualisht një status të veçantë në përfaqësuesen franceze pas një sezoni të shkëlqyer, ku fitoi disa trofe dhe u konfirmua si një nga futbollistët më të mirë në botë. Stafi teknik i Francës mbështetet te partneriteti sulmues mes tij dhe Mbappés për të udhëhequr skuadrën në garën për titullin e Kupës së Botës 2026.
KOHA JONË SONDAZH

