Dembele shkëlqen me tregolësh, Franca në avantazh ndaj Norvegjisë
Kanë përfunduar pjesët e para në dy sfidat e fundit të Grupit I, ku vëmendjen kryesore e ka marrë përballja mes Francës dhe Norvegjisë. Në stadiumin e Massachusetts, francezët dhe norvegjezët kanë dhuruar spektakël me katër gola të shënuar në 45 minutat e para, ndërsa protagonist absolut ka qenë Ousmane Dembele.
Franca e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të. Pas një aksioni të ndërtuar nga Kylian Mbappe, Dembele mori topin brenda zonës dhe me një finalizim të saktë e dërgoi atë në rrjetë për 1-0.
Sulmuesi francez vazhdoi paraqitjen e tij të jashtëzakonshme edhe në minutën e 20-të, kur realizoi një gol spektakolar me një goditje të fuqishme nga distanca, sërish pas një asistimi të Mbappe, duke dyfishuar epërsinë e “gjelave”.
Megjithatë, reagimi i Norvegjisë ishte i menjëhershëm. Vetëm një minutë më vonë, Thelo Aasgaard shfrytëzoi një moment të mirë në sulm dhe ngushtoi diferencën në 2-1.
Kur pritej që norvegjezët të riktheheshin plotësisht në lojë, ishte sërish Dembele ai që mori skenën. Në minutën e 32-të, francezi kompletoi tregolëshin personal me një goditje të bukur me të majtën, duke vulosur rezultatin 3-1 në fund të pjesës së parë.
Në takimin tjetër të grupit, Senegali po kontrollon sfidën ndaj Irakut. Afrikanët kaluan në avantazh që në minutën e 4-të falë golit të Habib Diarra.
Situata për Irakun u komplikua edhe më shumë në minutën e 10-të, kur Rebin Sulaka u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Sadio Mane, i cili po shkonte i vetëm drejt portës. Me një lojtar më pak në fushë, irakianët e kanë pasur të vështirë të reagojnë, ndërsa Senegali e mbylli pjesën e parë në avantazhin 1-0.
KOHA JONË SONDAZH

