Demollari rikthehet në Bukuresht, tifozët rumunë i rezervojnë një pritje madhështore

Rikthimi i një legjende në Bukuresht ka sjellë emocione të forta në futbollin rumun. Sulejman Demollari, një nga figurat më të spikatura të huaja në historinë e kampionatit rumun, ishte i ftuar special në ndeshjen mes Dinamo București dhe Universitatea Cluj, e përfunduar 2-1 në favor të vendasve.
Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare pati nderin të godiste topin e parë të takimit, ndërsa u prit me ovacione nga mijëra tifozë në stadium. Emocionet nuk munguan: Demollari u përlot teksa përjetoi rikthimin në një qytet dhe klub ku shkroi historinë e tij sportive.
Gjatë qëndrimit në Bukuresht, ai kujtoi me nostalgji periudhën e artë te Dinamo, mes viteve 1991 dhe 1995, kur u bë një nga të huajt e parë që la gjurmë të thella me fanellën kuqezi. Performancat e tij e shndërruan në një simbol për tifozët dhe një emër të respektuar në futbollin rumun.
Në prononcimet për mediat lokale, Demollari theksoi lidhjen e fortë që vazhdon të ketë me Rumaninë dhe ish-klubin e tij: “Erdha për një dokumentar për jetën time, ku pjesë e rëndësishme është edhe Dinamo e Bukureshtit. Kam shumë emocione që u ktheva pas kaq vitesh për të parë ekipin”, u shpreh ai.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte kaluar një mbrëmje të veçantë me ish-shokwtij e tij, mes tyre Gică Mihali dhe Florentin Petre, me të cilët kishte festuar titullin kampion më shumë se tre dekada më parë. Takimi u përshkrua si një moment nostalgjik, plot kujtime nga një epokë e lavdishme për klubin.

KOHA JONË SONDAZH

