Derbi i fundit Tirana-Partizani, si ndeshjet e Champions League
Derbi i shumëpritur Partizani- Tirana, i vlefshëm për javën e 33-të në Kategorinë Superiore, dhe i fundit i këtij sezoni, do të luhet të hënën, si të ishte një ndeshje e Champions League. Kjo për faktin se derbi do të luhet në ora 20:45, në stadiumin “Qemal Stafa”. Idriz Batha, autor i golit të fitores në përballjen e kaluar me Teutën, riktheu Partizanin në valle për titull dhe beson te fitorja në derbi ndaj Tiranës. – “Ndihem mjaft mirë pas golit të shënuar ndaj Teutës, pasi kishte ardhur koha që të gjeja rrjetën. E kisha pritur shumë këtë moment dhe të them të drejtën më vjen mirë që goli im arriti t’i jepte tre pikët Partizanit, një trepikësh të nevojshëm për të vazhduar rrugën drejt objektivave. Tashmë mendojmë vetëm për derbin. Fjalët nuk kanë vlerë para kësaj ndeshjeje, pasi natyrisht dihet që aty harrohet gjithçka, synohet vetëm fitorja. Do jetë një ndeshje e vështirë, si gjithë takimet e tjera dhe motivimi nuk mungon. Është një takim që fitohet në fushë, por ka rëndësi më shumë për tifozët që janë në tribuna,” – theksoi Idriz Batha. Partizani e fitoi derbin e kaluar ndaj Tiranës, 2-0, dhe pas asaj ndeshje u mendua se mund të marshojë drejt titullit, por e gjen veten tashme tre pikë pas bardhebluve, për shkak të disa luhatjeve në ndeshjet e javëve të fundit. – “Besoj nuk do e prishim traditën dhe do të fitojmë edhe në këtë ndeshje ashtu siç kemi bërë dy takimet e para. Të gjithë lojtarët kanë një bindje të madhe se do ta mundim Tiranën dhe besoj ashtu do të ndodhë. Do ishte një gjë shumë e bukur nëse do të shënoja,” – shprehet Batha. Partizani, pas javës së 22-të ndodhet në kuotën e 63 pikëve, aq sa ka edhe Kukësi, por tre pikë pas Tiranës së vendit të ditë dhe 6 pikë pas Skënderbeut, kryesues i garës.
KOHA JONË SONDAZH

