
Tirana dhe Dinamo City kanë barazuar 1-1 në derbin e kryeqytetit, në një përballje të luftuar, ku nuk munguan episodet e diskutueshme, kartoni i kuq dhe golat në pjesën e dytë. Sfida u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Pjesa e parë u karakterizua nga rivaliteti i fortë dhe loja taktike, ndërsa momenti më i diskutuar erdhi në minutën e 26-të. Arbitri Jorgji ndëshkoi me karton të kuq futbollistin e Dinamos, Rifa, vendim që shkaktoi protesta nga kampi dinamovit. Sipas tyre, lojtari nuk kishte prekur Alvarezin në episodin që solli përjashtimin.
Me epërsinë numerike, Tirana kërkoi të shfrytëzonte hapësirat dhe ushtroi presion në portën kundërshtare, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Në minutën e 33-të, edhe trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u ndëshkua me karton të verdhë.
Pas pushimit, bardheblutë arritën të zhbllokonin rezultatin. Në minutën e 64-t, Redon Xhixha dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Tiranën në avantazh dhe duke i dhënë një tjetër ritëm derbit.
Megjithatë, Dinamo nuk u dorëzua, pavarësisht se luante me një futbollist më pak. Këmbëngulja e bluve u shpërblye në minutën e 78-të, kur Erion Hoxhallari realizoi golin e barazimit, duke vendosur shifrat në 1-1. Në minutat e fundit, të dyja skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, por rezultati nuk ndryshoi.
