Derbin Tirana-Partizani e fiton … Teuta! (VIDEO)
Tirana dhe Partizani nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola në derbin e zhvilluar në “Air Albania Stadium”. Ky rezultat favorizon Teutën, që tashmë e sheh veten në vendin e parë me 62 pikë, 3 më shumë se Partizani, kur kanë mbetur dhe tri javë nga fundi.
Ishte një sfidë e bukur që dhuroi shumë emocione. Në start, Danso u shfaq rrezikshëm në dy raste. Partizani nga ana tjetër jep sinjalin e parë në minutën e 30-të me Stenior Junior, që humbi një rast të artë. Dy minuta më pas Çinari gjen golin, por që do të anulohej për pozicion jashtë loje. Në minutën e 40-të, Jasir Asani trondit traversën, por topi për fatin e tij të keq nuk shkoi më pas në rrjetë.
Edhe në fillimin e së dytës do të ishte sërish Asani që ju afrua golit, por që do të ndalej nga portieri Bekaj. Në krahun tjetër Seferi nuk shfrytëzoi si duhet një gabim të bardhit në minutën e 73-të. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, duke lënë të kënaqur vetëm Teutën. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

