Deschamps i mahnitur nga Olise: Do të na duhet në këtë nivel gjatë Kupës së Botës
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka vlerësuar shumë paraqitjen e Michael Olise pas fitores 3-1 ndaj Irlandës së Veriut në ndeshjen e fundit miqësore para nisjes së Kupës së Botës 2026.
Ylli i Bayern Munich ishte protagonisti absolut i takimit, duke realizuar një tregolësh dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon pas një sezoni të suksesshëm në Gjermani. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Deschamps nuk i kurseu elozhet për sulmuesin francez.
“Michael po shkëlqen falë sezonit që ka zhvilluar me Bayernin dhe me kombëtaren. Ai ka arritur objektiva të mëdha dhe është plot vetëbesim. Ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’u angazhuar maksimalisht në çdo moment. Në Kupën e Botës do të na duhet një Michael Olise në këtë nivel”, deklaroi tekniku francez.
Deschamps theksoi se futbollisti ka bërë progres të vazhdueshëm që prej Lojërave Olimpike dhe se ka punuar shumë për të arritur nivelin aktual. Vlerësime për Olise erdhën edhe nga mbrojtësi i djathtë Malo Gusto, i cili luajti pas tij në pjesën më të madhe të pjesës së dytë.
“Nuk jam i surprizuar nga paraqitja e tij. Ai është një lojtar që e bën ekipin të funksionojë”, u shpreh Gusto.
Megjithatë, trajneri francez pranoi se skuadra nuk e ruajti gjithmonë intensitetin e kërkuar gjatë ndeshjes, duke theksuar se lojtarët në disa momente e menaxhuan tepër ritmin e lojës.
Një tjetër temë e diskutuar ishte forma e kapitenit Kylian Mbappé, i cili nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e fundit miqësore ndaj Bregut të Fildishtë dhe Irlandës së Veriut.
Megjithatë, Deschamps nuk u shfaq i shqetësuar për mungesën e golave të sulmuesit francez.
“Ai krijoi disa raste, por nuk ishte mjaftueshëm i saktë në finalizim. Më tha se po i ruan golat për Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, kështu që për mua është në rregull”, tha trajneri me humor.
Në fund, Deschamps foli edhe për emocionet e ndeshjes së tij të fundit në shtëpi si trajner i Francës, duke pranuar se po i afrohet fundit të një cikli të gjatë në krye të “Gjelave”.
“Është një rreth që po mbyllet. Kam marrë shumë shenja vlerësimi dhe dashurie, gjëra që gjithmonë të prekin. Nuk ka nostalgji, përpiqem ta jetoj çdo ditë me të njëjtin entuziazëm si ditën e parë dhe të përfitoj maksimalisht nga kjo mundësi”, përfundoi Deschamps.
Franca do të nisë tani fokusin e plotë te Kupa e Botës 2026, ku shpreson të luftojë për rikthimin në fronin e futbollit botëror, me një Michael Olise në formë të shkëlqyer dhe një Kylian Mbappé që premton të shpërthejë në momentin e duhur.
KOHA JONË SONDAZH

