Deschamps ngre dyshime pas humbjes ndaj Spanjës: A ishte arbitri në nivelin e një gjysmëfinaleje Botërori?

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj arbitrimit pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke lënë të kuptohet se arbitri Ivan Barton nuk ishte në lartësinë e një ndeshjeje kaq të rëndësishme.

“Blutë”, të cilët konsideroheshin favoritët kryesorë për të fituar trofeun dhe kishin zhvilluar një turne mjaft bindës deri në gjysmëfinale, u eliminuan nga kampionët në fuqi të Europës falë golave të Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Deschamps, i cili do të largohet nga posti i trajnerit të Francës pas ndeshjes për vendin e tretë, nuk e fshehu zhgënjimin me arbitrimin.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Arbitri i katërt dhe i pestë ishin shumë të mirë. Nuk dua të them më shumë. Por a mendoni se arbitri ishte në nivelin e duhur për të gjykuar një gjysmëfinale të Kupës së Botës?”, deklaroi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kur u pyet sërish nga gazetarët francezë për këtë koment, 57-vjeçari u përgjigj shkurt: “Nuk thashë se nuk ishte në nivel. Thjesht bëra një pyetje. Shikoni ndeshjen, penalltinë dhe episodet e tjera. Nuk dua të hyj në debat për këtë çështje.”

Arbitri Ivan Barton u gjend në qendër të vëmendjes që në minutat e para të takimit, fillimisht për një moment të pazakontë kur harroi sprejin e vijës së lirë pas një goditjeje dënimi për Spanjën.

Më pas ai akordoi një penallti për spanjollët, pasi Lucas Digne goditi pa dashje Lamine Yamal gjatë një përpjekjeje për të larguar topin. Barton nuk hezitoi të tregonte pikën e bardhë, ndërsa Mikel Oyarzabal e shndërroi penalltinë në gol. Në pjesën e dytë, Pedro Porro vulosi fitoren 2-0 dhe kualifikimin e Spanjës në finale.

Megjithatë, jo të gjithë në kampin francez ndanë të njëjtin mendim me trajnerin. Mesfushori Rayan Cherki theksoi se përgjegjësia për eliminimin ishte e vetë skuadrës.

“Është një zhgënjim i madh, sepse humbëm nga vetja. Nuk humbëm për shkak të arbitrit dhe as për shkak të Spanjës. Nuk është çështje arbitri. Ne nuk luajtëm futbollin që dimë të luajmë, ndërsa Spanja po”, u shpreh Cherki.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?