Dhuna në sport, MASR tryezë për ndryshimet në Kod
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka organizuar sot një tryezë të rrumbullakët me drejtues të federatave sportive për ndryshimet e reja në kodin penal si një masë e nevojshme për të luftuar fenomenin e shëmtuar të dhunës në sport. Në fjalën e saj, Ministrja Besa Shahini u ndal tek ky fenomen, të cilin e cilëson atë si deformimin më të papërshtatshëm të vetë mesazhit që vetë ai presupozohet të përcjellë gjatë zhvillimit të aktiviteteve: atë të paqes, zbavitjes dhe përbashkimit të njerëzve.
Shahini u ndal tek tek masat e reja të propozuara për ndryshime në kodin penal. ”Pas nenit 274, shtohet neni 274/a në lidhje me goditjen apo vepra të tjera të dhunës ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit apo ndërmjetësit sportiv, e cila do të dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”, u shpreh ministrja, teksa nënvizoi se kur kjo vepër kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë apo kryhet nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Për sa i përket veprimeve të dhunshme në aktivitetet sportive, Ministrja u shpreh se shtohet Neni 274/b: ”Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të pa-autorizuar ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, nënvizoi Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ndër të tjera, Shahini u shpreh se: ”Është shumë e rëndësishme të shkëmbejmë idetë tona më të mira për të luftuar dhunën në sport”. Ky fenomen, sipas saj, është i përhapur kudo, jo vetëm në Shqipëri dhe është detyrë e përgjegjësi e secilit aktor të përfshirë që të bëjë më të mirën në adresimin e kësaj çështjeje dhe të kthehet në një aktivitet të mirë zbavitjeje e jo të merremi me ato copëzat e shëmtuara që vetëm sport nuk mund të quhet.
KOHA JONË SONDAZH

