Dibu Martinez objektivi kryesor i Juventusit, por problemi është Aston Villa
Portieri argjentinas Emiliano “Dibu” Martínez duket se është zgjedhja kryesore e Juventusit për mbrojtjen e portës në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit bardhezinj po punojnë prej kohësh për të finalizuar operacionin dhe, sipas raportimeve nga Italia, kanë arritur një marrëveshje paraprake me kampionin e botës.
Martínez, i cili së shpejti do të mbushë 34 vjeç, thuhet se ka pranuar të reduktojë kërkesat e tij fillestare. Portieri argjentinas ka dhënë dakordësinë për një kontratë trevjeçare në vend të katër viteve dhe për një pagë më të ulët, rreth dy milionë euro më pak në sezon nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet marrëveshja me klubin anglez Aston Villa, që zotëron kartonin e lojtarit. Anglezët kërkojnë 15 milionë euro për transferimin e portierit, ndërsa Juventusi nuk dëshiron të shkojë përtej ofertës prej 5 milionë eurosh. Diferenca mes palëve është ende e konsiderueshme dhe rrezikon të zgjasë negociatat.
Situata lidhet ngushtë edhe me të ardhmen e repartit të portierëve te Juventusi. Michele Di Gregorio mund të largohet nga Torino, pasi raportohet se është në radarët e Beşiktaşit, skuadër që drejtohet nga trajneri i ri Vincenzo Italiano.
Nga ana tjetër, edhe Mattia Perin mund të lërë bardhezinjtë nëse merr një ofertë që i garanton rolin e titullarit. Në këtë skenar, në organikën e Juventusit do të mbetej vetëm Carlo Pinsoglio.
Për këtë arsye, klubi torinez po ndjek me interes edhe talentin e ri Lorenzo Palmisani. Plani i Juventusit është ta sigurojë kartonin e portierit të ri italian, duke e lënë njëkohësisht në huazim te Frosinone për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të vazhdojë procesin e rritjes dhe aktivizimit të rregullt.
KOHA JONË SONDAZH

