Dinamo dhe Egnatia, përfitime rekord nga sukseset në Europë
Aventura europiane po sjell emocione dhe suksese sportive për Dinamon dhe Egnatian, por njëkohësisht po mbush edhe arkat e dy klubeve shqiptare me të ardhura të konsiderueshme.
Dinamo, e drejtuar nga Ilir Daja, ka siguruar deri tani rreth 1.45 milionë euro nga UEFA, pas kalimit në finalen e play-off-it të Conference League. Shifra mund të rritet ndjeshëm nëse blutë arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në fazën e ligës. Në këtë rast, të ardhurat nga rrugëtimi në kualifikuese do të shkonin në rreth 3.17 milionë euro.
Edhe më e madhe është përfitimi i Egnatias. Kampionët e Shqipërisë shkruan historinë me përmbysjen spektakolare ndaj Shamrock Rovers, duke fituar 5-1 dhe duke avancuar në play-off-in e Europa League.
Rrogozhinasit kanë garantuar tashmë rreth 3.17 milionë euro, edhe në rast eliminimi në përballjen me Lillestrøm. Vetëm triumfi ndaj skuadrës irlandeze i solli klubit rreth 1.46 milionë euro të ardhura shtesë.
Nëse Egnatia arrin të kalojë edhe norvegjezët dhe të sigurojë një vend në fazën e ligës së Europa League, përfitimet totale nga ky rrugëtim mund të shkojnë deri në 4.31 milionë euro.
KOHA JONË SONDAZH

