Dinamo e Dajës ndëshkohet në shtesë ndaj Pafos, i jep fund ëndrrës në Conference League
Dinamo e ka mbyllur aventurën europiane me një eliminim dramatik. Blutë u mposhtën 4-2 nga Pafosi në Qipro, në një sfidë që u vendos vetëm në minutat e fundit të kohës shtesë.
Skuadra e Ilir Dajës e nisi takimin me shumë agresivitet dhe arriti të zhbllokojë rezultatin që në minutën e 8-të. Fadairo përfitoi nga aksioni i mirë i ndërtuar nga Dinamo dhe dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur shpresat për një kualifikim historik.
Gëzimi i kryeqytetasve zgjati vetëm katër minuta. Në të 12-ën, Sema goditi nga distanca dhe topi, pas një devijimi, përfundoi pas shpinës së portierit Teqja. Dinamovitët protestuan duke pretenduar faull në nisje të aksionit, por goli u akordua.
Në pjesën e dytë, ritmi mbeti i lartë dhe Pafosi arriti të përmbysë rezultatin në minutën e 79-të. Ioannou shënoi me kokë pas një krosimi, duke e vendosur Dinamon përballë eliminimit.
Por blutë reaguan edhe një herë. Në minutën e 87-të, Silva-Richards përfitoi nga një goditje këndi dhe barazoi shifrat në 2-2. Me këtë rezultat, sfida shkoi në shtesë.
Dinamo rezistoi gjatë 30 minutave shtesë, por në fund nuk mundi të përballonte presionin e vendasve. Në minutën e 116-të, Quina shënoi për 3-2, ndërsa në 120+1′, Silva vulosi rezultatin përfundimtar 4-2.
KOHA JONË SONDAZH

