Dinamo kalon pengesën Auda, sfidon Pafos në Play off e Conference League
Dinamo ka dhuruar një tjetër paraqitje mbresëlënëse në arenën europiane. “Nëndetësja” ka mposhtur 4-0 Audën në transfertë dhe ka përmbysur humbjen minimale 1-0 të sfidës së parë, duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Skuadra e Ilir Dajës e mori menjëherë kontrollin e takimit dhe gjeti golin në minutën e 36-të, kur Qardaku realizoi me një goditje të fuqishme dhe të saktë nga jashtë zonës.
Dinamo nuk u mjaftua me avantazhin minimal. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Qefalia dyfishoi shifrat pas një aksioni të bukur me Qardakun, duke e çuar skuadrën shqiptare në dhomat e zhveshjes me një avantazh të rëndësishëm.
Në pjesën e dytë, Dinamo vazhdoi të luante me të njëjtin intensitet. Vetëm gjashtë minuta pas rikthimit në fushë, Ayodeji përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe shënoi golin e tretë, duke e vendosur Dinamon në një pozicion shumë të favorshëm për kualifikimin.
Auda nuk gjeti forcën për të reaguar dhe në minutën e 79-të erdhi edhe goditja përfundimtare. Fadairo realizoi golin e katërt, duke i dhënë fund çdo dileme dhe duke nisur festën e skuadrës shqiptare.
Me këtë fitore, Dinamo siguron për herë të dytë në historinë e klubit një vend në play-off-in e Conference League. Tashmë, “Nëndetësja” do të ketë përballë Pafos, në një tjetër sfidë ku synimi do të jetë vazhdimi i ëndrrës europiane.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 4752

