Dinamo me merkato të bllokuar, FIFA ndalon regjistrimin e afrimeve të reja
Teksa Dinamo vijon përgatitjet për sezonin e ri dhe mban gjallë objektivin për të avancuar në arenën europiane, klubi është përballur me një pengesë të rëndësishme jashtë fushës së blertë.
FIFA i ka vendosur klubit kryeqytetas një ndalim për regjistrimin e futbollistëve të rinj, duke bllokuar përkohësisht merkaton. Vendimi lidhet me detyrime financiare të papërmbushura ndaj disa ish-lojtarëve të klubit, identiteti i të cilëve nuk është bërë publik.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se drejtuesit janë në punë për të zgjidhur sa më shpejt çështjet administrative dhe financiare, me synimin që masa të hiqet në kohë dhe afrimet e verës të regjistrohen përpara nisjes së sezonit.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për Dinamon, e cila synon të luajë një rol protagonist në Superligë, ndërsa paralelisht vazhdon garën në kupat e Europës. Objektivi i skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja mbetet kualifikimi në fazën “play-off” të Conference League, por deri në heqjen e bllokimit nga FIFA, asnjë prej futbollistëve të afruar gjatë merkatos së verës nuk mund të federohet dhe të aktivizohet zyrtarisht.
KOHA JONË SONDAZH

