Dinamo mposht Laçin, “Blutë” marrin fitoren e katërt radhazi
Dinamo vijon serinë e fitoreve në Abissnet Superiore. Skuadra e Ilir Dajës mposhti 3-1 Laçin në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të kampionatit.
“Blutë” kaluan në avantazh në minutën e 22-të, me Lorran që realizoi pas një goditjeje të bukur brenda zonës. Laçi reagoi vetëm tre minuta më vonë, duke barazuar shifrat me Gonzalo Gamarra, i cili gjeti rrjetën me një goditje nga kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në fundin e pjesës së parë, Laçi mbeti me 10 lojtarë. Gamarra u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj Hekuran Berishës, por pas rishikimit të pamjeve nga VAR, arbitri ndryshoi vendimin dhe i tregoi kartonin e kuq.
Me avantazhin numerik, Dinamo e nisi pjesën e dytë në kërkim të golit të avantazhit dhe e gjeti në minutën e 55-të. Lorenco Vila përfitoi nga aksioni i nisur nga Eridon Qardaku dhe i devijuar nga mbrojtja e Laçit, duke dërguar topin në rrjetë.
Në minutat shtesë, Flamur Ruçi vulosi fitoren 3-1 për Dinamon. Me këtë rezultat, Dinamo ngjitet në vendin e dytë me 12 pikë, vetëm një pikë pas Teutës kryesuese. Laçi mbetet në kuotën e 7 pikëve, në vendin e katërt.

