Dinamo përmbys Elbasanin dhe merr fitoren e dytë në kampionat
Dinamo ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Elbasanin me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”. Kryeqytetasit e panë veten në disavantazh, por reaguan në kohën e duhur dhe dolën nga fusha me tri pikë.
Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 25-të. Nikaj përfitoi nga një top i gjatë, doli përballë portierit Teqja dhe me qetësi e kaloi topin mbi të për të realizuar 1-0.
Dinamo nuk vonoi të reagonte. Në minutën e 37-të, pas një goditjeje nga këndi, topi mbërriti te Berisha, i cili me një goditje të saktë rivendosi ekuilibrin. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Në fraksionin e dytë, blutë shtuan presionin dhe në minutën e 64-t gjetën edhe golin e përmbysjes. Pas një tjetër goditjeje këndi, Hoxhallari fitoi duelin në ajër dhe topi përfundoi te Vila, i cili e devijoi në rrjetë.
Elbasani provoi të reagojë deri në fund, por Dinamo u mbrojt mirë dhe ruajti avantazhin. Me këtë sukses, Dinamo regjistron fitoren e dytë në tri javë dhe shkon në 6 pikë, ndërsa Elbasani mbetet me vetëm 2 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

