Dinamo synon historinë sot në Conference League, sfidon qipriotit e Pafos
Dinamo City rikthehet sonte në mbrëmje në arenën europiane, teksa do të përballet me Pafos në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Conference League. Sfida do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, në orën 21:00, me skuadrën e Ilir Dajës që synon të marrë një rezultat pozitiv përpara takimit të kthimit.
Blutë mbërrijnë në këtë përballje me moral të lartë, pas kualifikimit të arritur në mënyrë spektakolare ndaj Audës. Dinamo City përmbysi humbjen 1-0 të ndeshjes së parë në Letoni, duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 në “Elbasan Arena” dhe duke siguruar biletën për në raundin vendimtar të Conference League.
Tashmë, përballë do të jetë Pafos, një kundërshtar që pritet t’i vendosë skuadrës shqiptare një tjetër test të vështirë në rrugëtimin europian. Dinamo do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për të ndërtuar një rezultat që do t’i japë më shumë besim për sfidën e kthimit.
Objektivi është i qartë: kalimi i play-off-it dhe sigurimi i kualifikimit në fazën e ligës së UEFA Conference League. Pas paraqitjeve pozitive në ndeshjet e deritanishme, Dinamo City kërkon të vazhdojë aventurën europiane dhe të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në historinë e saj në kompeticionet ndërkombëtare.
Gjithçka pritet të nisë në “Elbasan Arena”, aty ku Blutë do të kërkojnë të marrin avantazhin e parë në duelin me Pafos.
KOHA JONË SONDAZH

