Diomande prek me letrën emocionuese për motrën e ndjerë: Do të bëhem më i miri në botë për të të bërë krenare!

Talenti i ri i Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, ka emocionuar botën e futbollit me një letër prekëse kushtuar motrës së tij, Roxane, e cila u nda nga jeta në moshën vetëm 15-vjeçare.

Mesfushori ofensiv kujton me nostalgji fëmijërinë e tyre të thjeshtë, duke rrëfyer momentet që ndanë së bashku dhe sakrificat që e shoqëruan në rrugëtimin drejt futbollit profesionist.

“Roxane e dashur, a të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë false të Manchester United dhe unë shkrova mbi të ‘Ronaldo 7’ me një marker të zi? Nuk e dinim nëse ishim të pasur apo të varfër. Ne njihnim vetëm lumturinë”, shkruan Diomande.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai kujton gjithashtu emocionin e parë kur mori këpucët e tij të vërteta të futbollit: “Fjeta me to gjatë natës. Deri atëherë luaja gjithmonë me sandalet e bardha plastike. Edhe sot, kur kthehem në shtëpi, luaj me to. Është tradita jonë.”

Swiss Digital Mobile Reklama

19-vjeçari rrëfen se kaloi prova te disa klube të njohura evropiane, por u refuzua vazhdimisht.

“A të kujtohet kur bëra prova te Bournemouth, Chelsea, Rangers, Olympiacos dhe Crystal Palace? Madje edhe Eze dhe Olise më thanë pas stërvitjes se isha shumë i talentuar. Por sërish nuk më morën. As ekipet rezervë të MLS nuk më donin. Askush nuk më dha shpjegime.”

Sipas tij, problemet me vizën dhe refuzimet e vazhdueshme e detyruan të kthehej në Afrikë, një periudhë e vështirë që e përballoi falë mbështetjes së motrës.

“Ti ishe personi që nuk pushoi kurrë së besuari tek unë.”

Pak javë më vonë, Diomande nënshkroi me klubin spanjoll CD Leganés.

“Kur firmosa me Leganés, qamë sërish, por këtë herë nga gëzimi. Atëherë ende ndjeja emocione. Tani nuk ndjej më asgjë. Që kur ti u largove nga kjo botë, jam bosh.”

Futbollisti tregon se lajmin për vdekjen e motrës e mori vetëm pak javë pas debutimit të tij në elitën e futbollit spanjoll.

“Nuk besoj se kam derdhur asnjë lot ditën kur më thanë se kishe vdekur. Isha në shok. Vetëm pak javë më parë kisha debutuar kundër Real Madridit në moshën 18-vjeçare. Ishte një ëndërr që u bë realitet, por shumë shpejt u kthye në një makth.”

Sot, Diomande po jeton ëndrrën e përfaqësimit të Côte d’Ivoire në skenën ndërkombëtare dhe thotë se objektivi i tij është të bëhet futbollisti më i mirë në botë, për të përmbushur besimin që motra kishte tek ai.

“Tani jam në Kupën e Botës. Vërtet. Vëllai yt do të luajë për Bregun e Fildishtë, si Didier Drogba, Yaya Touré dhe Gervinho. Nuk e shoh si një ndeshje, por si një skenë ku mund t’i tregoj botës atë që ti pe tek unë.”

Ai premton se çdo gol do t’ia dedikojë kujtimit të saj.

“Sa herë që të shënoj, do të bëj që të gjithë ta dinë emrin tënd. Do të sigurohem që askush të mos të harrojë. Ti gjithmonë më thoshe se mund të bëhesha më i mirë se Cristiano Ronaldo. Nëse një ditë do ta takoj, do ta përshëndes për ty.”

Në fund të letrës së tij emocionuese, talenti afrikan mbyll me një premtim që prek zemrën: “Do ta realizoj atë që ti parashikove për mua, të betohem. Edhe para se të kisha këpucë të vërteta futbolli, u thoje të gjithëve: ‘Vëllai im do të bëhet më i miri në botë’. Do të të vërtetoj se kishe të drejtë, ose do të vdes duke u përpjekur. Vëllai yt, Yan.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?