Disfata e Bayernit, Rummenigge : U vodhëm, jam shumë i inatosur
Humbja në takimin ndaj Realit të Madridit dhe eliminimi mes polemikave nga Liga e Kampionëve ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në kampin e Bayernit të Mynihut. Presidenti i klubit bavarez Karl Hainz Rumenige foli ashpër kundër gjykimit duke deklaruar se skuadra e tij u vodh në ndeshjen ndaj madrilenëve.
Eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk po kapërdihet në ambjentin bavarez. Gabimet e gjyqtarit Victor Kassai ndikuan në rezultatin përfundimtar dhe për këtë arsye lojtarët dhe drejtuesit e Bajernit e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj arbitrimit. Së fundmi ka reaguar presidenti i klubit gjerman Karl Hainz Rummenigge i cili ka folur ashpër kundër gjykimit.
“Për herë të parë në jetën timë ndjehem krejtësisht i inatosur, sepse në takimin ndaj Realit u vodhëm, u vodhëm dhe kjo ishte e qartë. Si ka mundësi, si është e mundur që insitucionet që drejtojnë futbollin ta lejojnë dicka të tillë. Kemi 6 gjyqtarë në fushë, 6 dhe ndodh që jepet një karton i verdhë që nuk është dhe dy gola në pozicion të parregullt “– u shpreh numri 1 i Bayernit të Mynihut.
Ndërkohë që Rummenigge vlerësoi paraqitjen e skuadrës në sfidën e “Bernabeut”.
“Pamë një ndeshje ekzaltuese dhe dramatike, zhvilluam një paraqitje mjaft të mirë, por në fund nuk u shpërblyem” – përfundoi kreu i klubit bavarez.
Reagimet për eliminimin nga Liga e Kampionëve kanë qënë të shumta jo vetëm nga futbollistët e skuadrës nga Mynihu, por edhe nga i gjithë opinioni sportiv.
KOHA JONË SONDAZH

