Djali i Stankovic: Po përgatitemi me qetësi, nuk i njoh të gjithë lojtarët e Shqipërisë
Djali i ish yllit të Interit, Dejan Stankovic, Aleksandar, ka folur për emocionet e tij pas ftesës në Kombëtaren A të Serbisë, duke theksuar se ky është “realizimi i një ëndrre të vjetër”.
Serbia ka nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Shqipërisë dhe Andorrës. Skuadra e drejtuar nga Dragan Stojkovic do të përballet me Shqipërinë më 11 tetor në Leskovac, ndërsa tri ditë më vonë do të udhëtojë drejt Andorrës.
“Kam filluar që nga përfaqësuesja U-15 dhe gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Kombëtaren A. Tani që jam këtu, është një ndjenjë e pabesueshme, një ëndërr e bërë realitet,” tha Stankovic për faqen zyrtare të Federatës Serbe të Futbollit.
Djali i ish-trajnerit të njohur theksoi se është gjithmonë maksimalisht i motivuar kur përfaqëson ngjyrat e vendit të tij: “Kur luaj për Serbinë, jam gjithmonë i motivuar në maksimum. Unë kudo prezantohem si serb. Kam pasur disa herë oferta për të luajtur për Italinë, por përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë: Unë jam serb dhe dua të luaj vetëm për Serbinë.”
Në lidhje me përballjen ndaj Shqipërisë, Stanković shtoi: “Normalisht, tensioni rritet para çdo ndeshjeje. Po përgatitemi me qetësi, duke analizuar kundërshtarin në detaje. Nuk i njoh të gjithë lojtarët e Shqipërisë, por këto ditë po punojmë shumë për t’u përgatitur siç duhet.” /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

