“Do që të shpallet mbret”, batutat mes Edi Ramës dhe Armand Dukës
Ceremonia e “Topit të Artë” solli një mbrëmje gala kushtuar futbollit shqiptar, ku u ndanë vlerësimet më të rëndësishme për vitin 2025. Në event morën pjesë personalitete të shumta nga sporti dhe jeta publike.
Mes të pranishmëve ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili dorëzoi çmimin për “Lojtarin e Kombëtares”. Gjatë fjalës së tij në skenë, Rama nuk i kurseu batutat në drejtim të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke e quajtur ceremoninë “mbretërinë e Dukës” dhe duke e përgëzuar për organizimin gjithnjë e më spektakolar të eventit.
“Unë nuk dua të mbaj një fjalim se këtu jemi në mbretërinë e Armand Dukës dhe do flasë mbreti vetë, por unë dua në radhë të parë komplimentoj mbretin për organizimin. Është çdo vit e më spektakolar”, tha Rama.
Humori vijoi edhe më tej, kur Rama u pyet për një “votim” simbolik brenda kabinetit qeveritar, duke ironizuar se, nëse do të votonin mes tyre, “djemtë” do ta zgjidhnin pa diskutim Armand Dukën.
“Ta lejmë këtë muhabet me kombëtaren këtu. Po të votonin këta çunat këtu për njëri-tjetrin do votonin për Armand Dukën nuk diskutohet”, i tha ai Ardit Gjebreas, i cili e prezantoi këtë event.
Replikat nuk munguan as nga ana e presidentit të FSHF-së. Kur doli për të prezantuar çmimin “Ëndërr Botërori”, Duka ndau me publikun batuta nga bisedat private me kryeministrin, duke treguar se Rama e pyet shpesh për numrin e mandateve në krye të federatës dhe se, sipas tij, synon t’i ndjekë ato.
“Në fakt sa herë që e takoj kryeministrin më pyet sa mandate ke. Mesa duket do të ndjekë mandatet e mia dhe të shpallet mbret i vërtetë”, tha Duka.
Në aspektin sportiv, Federata Shqiptare e Futbollit vlerësoi më të mirët e vitit 2025. Sulmuesi Bekim Balaj u shpall fitues i “Topit të Artë” për të dytin vit radhazi, ndërsa në kategorinë e femrave çmimi shkoi për Megi Doçin.
KOHA JONË SONDAZH

