Dortmundi e rikthen te kampionët, lojtari shihet si opsion edhe për Shqipërinë

Diant Ramaj, portieri me origjinë shqiptare do të vijojë karrierën këtë sezon në Danimarkë, ku do të luajë në huazim nga Borussia Dortmund. Për 24-vjeçarin nuk bëhet fjalë për një eksperiencë të panjohur. Ramaj ka qenë më parë pjesë e Kopenhagës, ku gjatë huazimit të tij dy sezone më parë pati një rol në sukseset e klubit, duke festuar fitimin e kampionatit dhe Kupës së Danimarkës.

Tashmë palët kanë rënë dakord për një tjetër huazim, këtë herë me të drejtë blerjeje në fund të sezonit. Ramaj e ka pritur me entuziazëm rikthimin në klubin danez. “Jam shumë i lumtur që është arritur marrëveshja dhe mezi pres të ribashkohem me shokët e mi të ekipit. Kam kaluar një kohë fantastike këtu dhe ndiej se ky është vendi i duhur për mua”, u shpreh portieri pas zyrtarizimit.

Ramaj thekson se i kishte munguar atmosfera e veçantë në “Parken”, ndërsa tani synimi i tij është të ndihmojë Kopenhagën të arrijë objektiva të rinj. Në aspektin ndërkombëtar, portieri vijon të jetë i lidhur me Gjermaninë. Ai ka përfaqësuar ekipet e moshave të kombëtares gjermane, por ende nuk ka debutuar me ekipin A. Kjo e lë Ramajn ende të disponueshëm edhe për një të ardhme të mundshme me Kombëtaren shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?