Dortmundi fiton ndaj Gladbah dhe afrohet me zonën Champions

Borussia Dortmund mori një fitore të rëndësishme në garën për një vend në zonën e Champions League, duke mposhtur Borussia Monchengladbach me rezultatin 3-2 në “Signal Iduna Park”, në kuadër të javës së 30-të të Bundesligës.

Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 24-të me golin e Itakura-s, duke surprizuar skuadrën vendase. Por reagimi i verdhezinjve erdhi në fundin e pjesës së parë, ku përmbysën gjithçka me tre gola të njëpasnjëshëm. Serhou Guirassy barazoi në minutën e 37-të pas një pasimi të bukur nga Gross, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Nmecha i dha avantazhin Dortmundit. Në fund të shtesës së pjesës së parë, Svensson shënoi me kokë për rezultatin 3-1.

Në pjesën e dytë, Monchengladbach reagoi dhe ngushtoi diferencën me një gol të shënuar nga Stoger me penallti në minutën e 55-të, por nuk arriti të përmbyste më shumë.

Me këtë fitore, Dortmund ngjitet në vendin e shtatë me 45 pikë, dhe qëndron në garë për zonën Champions, duke pasur vetëm katër pikë më pak se Leipzig, që mban vendin e katërt me 49 pikë.

SHKARKO APP