Dugllas Kosta i magjishëm, Juventus fitore me përmbysje ndaj Bolonjës (VIDEO)
Juventusi hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit të 7-të radhazi, teksa tashmë mungon vetëm çështje orësh ose ditësh për ta festuar. Bardhezinjtë kanë bërë një tjetër fitore me përmbysje ndaj Bolonjës në “Allianz Stadium” në shifrat 3-1.
Pjesa e parë ishte shumë e dobët për bardhezinjtë që u ndëshkuan në minutën e 30-të. Rugani shkaktoi një 11-metërsh, që u kthye në gol nga Verdi. Trajneri Alegri hedh në fushë lojtarin më në formë në pjesën e dytë, Dugllas Kosta, i cili dhuron spektakël. Bardhezinjtë barazojnë në minutën e 52-të, teksa De Maio e dërgoi topin në rrjetën e tij. Më pas vjen radha e yllit brazilian për të dhuruar dy asist. Fillimisht ai shërbeu për Kedirën dhe më pas për Dibalën.
Argjentinasi shënoi golin e 22-të në këtë sezon, ndërkohë që Dugllas Kosta meriton padyshim vlerësimin si më i miri i ndeshjes. Juventus (me 90 pikë) është shkëputur 7 pikë nga Napoli, që luan nesër ndaj Torinos. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

