Duka: Ja kush përfiton nga ndihma e FSHF-së, buxheti është 40 milionë
FSHF dje vendosi t’u vijë të ndihmë me një pagë minimale prej 30 mijë lekësh të gjithë njerëzve që merren me futboll, në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së Covid-19.
Sot kreu i FSHF-së ishte në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” shpjegoi se si do të shpërndahet ky kontribut, komentoi vendimin e qeveris për të mos ndihmuar futbollin dhe dhe iu përgjigj pyetjeve të tjera nga paneli e fansat.
“Ne jemi një federatë që administrojmë shtëpinë e futbollit në Shqipëri. Duke shfrytëzuar ato financa që kemi, kemi vendosur të bëjmë këtë paketë financiare që mund t’i vijë në ndihmë të gjithëve. Nga kjo do të fitojnë të gjithë, futbolli i moshave, ekipet e femrave. Sot administrata e federatës ka filluar procedurën dhe ka nisur shpërndarjen. Nuk jam i sigurt për numrin që do të fitojë nga kjo. Buxheti është 40 milionë dhe mendoj se do të fitojnë të gjithë.
Ndoshta edhe ndonjë gabime mund të ndodhë. Kjo është si ajo dasma ku ftoi të gjithë dhe u dha dhuratë dhe më pas u mërzitën pse i dhe atij pse këtij. Kjo është një ndihmë financiare meqë loja ka ndaluar. Kemi bërë ndarjen që të gjithë të jenë të barabartë në këtë situatë. Të gjithë në Komitetin Ekzekutiv kemi diskutuar gjerësisht çdo kategori dhe mendoj se kemi vepruar drejt, duke parë edhe mundësitë tona.
Përfshirja e Vllaznië? Qeveria thotë se biznesi duhet të paguajë vetë punëtorët, në këtë situatë nuk ka arsye pse të paguajmë për bashkitë, të cilat kanë buxhetet e tyre për të paguar. Vllaznia dhe Flamurtari janë aty, pasi ne fillimisht menduam të ndihmojmë vetëm skuadrat e Superiores, por duke qenë se buxhet kishim për ta shtrirë më tej këtë ndihmë, e vijuam edhe me përfshirjen e kategorive të tjera.
Burimi i të ardhurave? Në vendimin e Komitetit Ekzekutiv, burimi u konsiderua humbje. E kemi parashikuar vetëm një pagesë, por vetëm për një muaj. Nëse situata vazhdon kështu, do ketë edhe për muajin tjetër. Kemi parashikuar të marrim një kredi, të cilën do e shlyejmë nga buxheti i vitit të ardhshëm.
Lojtarët që paguhen nga bashkia? Në arsyetimin tonë ishte, që nëse akordonim një rrogë dhe bashkia të mos jepte rrogë se paguan FSHF. Dhe versioni i dytë ishte që ata do merrnin dy paga, nga bashkia dhe FSHF, por nuk mund të jepen dy rroga në këtë situatë. Në këtë këndvështrim kemi menduar që të jepet një rrogë. Në fillim ishte ideja të ndihmohej vetëm Superiorja. Kontributi i këtyre ekipeve si Vllaznia dhe Flamurtari nuk është i njëjtë. Nuk jemi për të vendosur formalizimin e krizës në këtë situatë. Klubet e Bashkisë në Superiore do marrin 100%, ndërsa për të tjerat jo”, deklaroi Duka.