Duka: Jemi pranë kombit italian, kemi komunikime të vazhdueshme me lojtarët shqiptarë!
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur gjestin e Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë Italië me 30 mjekë dhe infermierë.
Në një lidhje me radio “Kiss Kiss”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh: “Nuk mund ta shpëtojmë Italinë me 30 persona, por tregojmë që jemi afër kombit italian, siç kanë vepruar gjithmonë italianët me ne. Jemi në borxh me popullin italian dhe me këtë gjest kemi treguar se bashkimi është i rëndësishëm. Kam folur me Kryeministrin dhe i kam thënë se ishte veprimi më i bukur që mund të bënte.”
Duka foli edhe për futbollistët e Kombëtares, veçanërisht për Hysajn.
“Hysaj? Jemi gjithmonë në kontakt me futbollistët e Kombëtares. Është një situatë e vështirë për të gjithë ne. Edhe më e vështirë është për futbollistët, sepse në një sport kolektiv socializimi është edhe më i madh. Shpresojmë ta fitojmë këtë luftë.”