Cili është lojtari shqiptar që ju ka emocionuar më shumë?

– Është e pamundur të veçoj vetëm një lojtar, sepse gjatë gjithë këtyre viteve kam parë me sytë e mi shumë emra që kanë dhënë gjithçka për fanellën kuqezi dhe që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Por ka momente që mbeten të paharruara dhe që ngjallin emocione të veçanta. Mbaj mend si sot kur Marash Kumbulla, në vitin 2022, ngriti trofeun e UEFA Conference League me Romën, dhe jo në çfarëdo stadiumi, por në “Air Albania”, në Tiranë. Ishte një moment ku simbolika u bë shumë e fortë: një djalë shqiptar, në zemër të vendit të tij, duke shkruar histori europiane.

Po aq emocionues ishte edhe momenti i Beratit, kur ngriti trofeun e Europa League si kapiten i Atalantës. Ishte jo vetëm një sukses personal i jashtëzakonshëm, por edhe një tregues se ku kanë arritur futbollistët shqiptarë sot, jo më vetëm pjesë e ekipeve, por liderë, kapitenë, kampionë. Kam qenë në stadium në të dyja rastet, dhe mund të them që ato janë ndër ato çaste ku nuk e fsheh dot emocionin. Më është mbushur zemra me krenari, jo vetëm si president i FSHF-së, por si shqiptar që e di se sa rrugë të gjatë kemi bërë për të mbërritur këtu.

– Nga aspekti personal për ju çfarë është Kombëtarja?

– Për mua, Kombëtarja nuk është thjesht një ekip futbolli. Është emocioni më i fortë që mund të përjetojë çdo shqiptar, pavarësisht ku ndodhet. Kombëtarja është bërë, pa dyshim, një nga simbolet më të fuqishme të bashkimit kombëtar dhe identitetit tonë si popull. Në 10-vjeçarin e fundit, ajo është kthyer në një brand të fuqishëm të Shqipërisë moderne, që përfaqëson dinjitet, forcë karakteri dhe ambicie europiane.

Dhe për mua personalisht, çdo ndeshje e Kombëtares është një përjetim i fortë emocional, pavarësisht se jam president i FSHF-së. Kur Kombëtarja është në fushë unë nuk jam kurrë thjesht një drejtues, jam tifoz, jam shqiptar, jam pjesë e asaj përjetësie që vetëm fanella kuqezi di të krijojë. Nuk e teproj nëse them që Kombëtarja është ndoshta gjëja më e dashur për shqiptarët sot.

– Po FSHF?

– Federata për mua është një angazhim i përditshëm, i fortë dhe me përgjegjësi shumë të madhe, por njëkohësisht është një nga ato rrugë që, sa më shumë ecën, aq më shumë kupton se ia vlen. Është një sfidë që nuk pushon asnjë ditë, sepse futbolli është gjallëri, është zhvillim i vazhdueshëm, është presion e pasion. Në këto vite kam jetuar momente të pabesueshme, nga emocionet e mëdha të sukseseve në fushë, te proceset e ndërlikuara jashtë saj.

Të jesh në krye të futbollit shqiptar do të thotë të jesh pjesë e një familjeje të madhe, ku çdo ditë ndodh diçka e re, diçka që kërkon zgjidhje, energji dhe vizion. Nuk është një detyrë që e mban thjesht me vendime zyrtare apo mbledhje, por është një përfshirje totale që kërkon shpirt. Dhe pavarësisht lodhjes që sjell, është një rrugë që më ka dhënë kënaqësi dhe ndjenjën se po kontribuoj realisht në diçka që ka vlerë për vendin tim.

– Si e ruani pasionin për futbollin pas kaq vitesh në drejtim?

– Futbolli nuk është punë, është mënyrë jetese. E vështirë është ta lësh, jo ta duash. Kur je kaq gjatë në këtë botë, nuk është thjesht çështje pasioni, është një lidhje që të futet nën lëkurë. Unë nuk e kam parë asnjëherë futbollin si punë.

Është një stil jetese, një emocion që përsëritet çdo javë, çdo ndeshje, çdo projekt të ri. Është e lehtë ta duash futbollin kur sheh një stadium plot, kur dëgjon himnin, kur sheh fëmijët që luajnë me fanellën kuqezi, apo kur ndjek një ekip shqiptar që përfaqëson vendin me dinjitet në Europë.

Pjesa e vështirë është të mos e përjetosh më. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse pas kaq shumë vitesh, nuk kam humbur asgjë nga ajo ndjesi e parë që kam patur kur fillova: që me anë të futbollit mund të ndikosh realisht në jetën e shumë njerëzve. Dhe kjo nuk lodh kurrë.

– Çfarë do të donit të lini si trashëgimi në futbollin shqiptar?

– Unë shpresoj që dashuria e madhe që kanë shqiptarët për futbollin të kanalizohet akoma edhe më shumë drejt përfshirjes së të gjithëve në atmosferën që të dhuron loja e bukur, qoftë si tifoz, një fëmijë që fillon të luajë futboll në shkollë apo në akademi, si dhe një i ri që e bën futbollin pjesë të jetës së tij si profesion.

Dashuria për futbollin i bën njerëzit më të mirë, më të disiplinuar dhe të qartë në objektivat e tyre. Uroj që kjo dashuri të na çojë drejt ëndrrave akoma të mëdha.