Duka kthehet nga Amsterdami: Objektivi kryesor është vendi i parë në grup!

Shqipëria u shortua ditën e djeshme në grupin 4 D të Ligës C së bashku me përfaqësuese të tilla si Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani. Presidenti i FSHF, Armand Duka pas kthimit nga Amsterdami, ku u zhvillua dhe hedhja e goglave ka dhënë sot një intervistë për mediat. Numri një i federatës, deklaroi se objektivi kryesor i kuqezinjve është që të dalin në vendin e parë në Ligën e Kombeve.

“Është një short që ke mundësi që të bësh më të mirë, por qëllimi kryesor është që të dalim në vendin e parë. Ky është i vetmi objektiv si dhe të dalim në Ligën B dhe pse jo të jemi një nga ato ekipet që do të luajë në Play Off për Botëror.

Botërori është më i vështirë se Europiani, pasi atje shkojnë 14, ndërkohë që në Europian 24. Nga Nations League shkojnë vetëm dy vende, por gjithsesi është një dritare për të cilën duhet të luftosh. Mundësitë që të dalim në vendin e parë janë. Pse jo, t’i luajmë kartat deri në fund.

Liga e Kombeve test për Rejën? Edhe në një ndeshje miqësore duhet të bësh më të mirë. Trajneri dhe stafi i tij çdo moment janë nën presion.

Anulimi i miqësoreve në Itali? Situata është nën monitorim, sipas zhvillimit të ngjarjeve. Nuk mund të themi që Italia do bllokohet, por nëse do të ndodh kemi biseduar me federatën sllovene, për një plan B në Slloveni apo në Tiranë. Por asnjëherë nuk i dihet se si do të jetë situata”, deklaroi Duka. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP