Duka: Në Shqipëri ka 3 milionë trajnerë, ja objektivi i Kombëtares

Shqipëria e mbylli me një fitore 3-2 edicionin në Ligën e Kombeve, duke marrë dhe vendin e par ënë grup. Në lidhje me këtë sukses ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në një intervistë të dhënë për “Sport News” në televizionin News 24, nuk i ka kursyer thumbat për kritikët.

“Kishim vetëm 18 lojtarë në dispozicion nga dëmtimet dhe virusi, por duhet të jemi të lumtur që dolëm në vend të parë. Grupi ishte me skuadra të barabarta dhe mund të merrnin më shumë pikë, por fituesi nuk gjykohet. Ne shqiptarët kaluam një tërmet dhe nuk jemi njësoj si vendet e tjera. Ta konsiderojmë këtë një sukses për Shqipërinë dhe kryesisht për futbollin tonë.

Reja? Në mendjen time nuk i ka vënë kushte asnjë trajneri për një rezultat të vetëm. Marrëdhënia me një trajner shihet në vazhdimësi se çfarë bën mirë apo keq e pastaj është rezultati që vendos. Nuk kam qenë në dyshim që Reja ka bërë mirë në Shqipëri dhe do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës.

Objektivi jonë më madhor është pjesëmarrjanë ‘Euro 2024’ që është e arritshme. Ne duhet të marrim rezultate maksimale, kjo nuk do të thotë që nuk do të luajmë mirë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Ne do të luajmë të gjitha mundësitë tona, por objektivi jonë maksimal është Europian 2024 duke parë që për Botërorin vendi i parë është pothuajse i paarritshëm. Gjatë këtyre ndeshjeve që zhvilluam pamë Çepelen një 17-vjeçar që luajti titullar ndaj Kosovës dhe shumë të tjerë e kjo tregon që jemi një skuadër e re.

Skema 3-5-2? Jo vetëm Reja, por çdo trajner që vjen këtu është me fat pasi jemi vetëm 3 milionë banorë dhe të gjithë janë trajnerë dhe japin mendimin e tyre. Para ndeshjes mendon se ky është formacioni më i mirë, por në fund rezultati të jep apo jo të drejtë”, deklaroi Duka.

SHKARKO APP